Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Humbja e autonomisë ’89, krijimi i autonomisë ’15

Prizren Post | 22:16 - 24.10.2015

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Faik MIFTARI

Si shtetas i Kosovës në përgjithësi e si shqiptar në veçanti, nuk mund të qëndroj indiferent e të mos e shpreh opinionin tim për situatën aktuale politike nëpër të cilin kalon Kosova, duke marr parasysh thënien e Albert Ajnshtajnit:

”Nuk janë fajtorët vetëm keqbërësit, por edhe ata që i shohin dhe nuk reagojnë”.
Në këtë vështrim do të ndalem në krahasimin mes ngjarjes të historisë më të re të Kosovës, asaj të humbjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989, dhe të tanishmes, marrëveshjen e arritur në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuqiç për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe(Zajednicës) që do të thotë krijimi i entitetit autonom serb brenda Kosovës në vitin 2015.

Pas demonstratave studentore dhe popullore të vitit 1981 për avancimin e pozitës së Kosovës në statusin e republikës në kuadër të ish Jugosllavisë, Serbia pas përpjekjeve disavjeçare të përdorimit të të gjitha mjeteve politike dhe të dhunës policore, arriti që në vitin 1989 ta zhbëjë autonominë e Kosovës me amendamentet e propozuara , me të cilat Kosovën arriti ta rikthejë në sistemin e saj politik dhe juridik. Edhe pse klasa politike e atëhershme shqiptare në Kosovë (A.Vllasi, K. Jashari, E. Arifi etj.), së bashku me klasën punëtore, studentore, intelektuale dhe shumicën e popullit, u çuan në demonstrata masive gjithë popullore, për të parandaluar suprimimin e autonomisë, por në saje të lidershipit të ri të emëruar politik, i cili ishte i përshtatshëm për garniturën e atëhershme serbe, (R.Morina, H.Azemi, A.Shukria etj.) si dhe disa intelektualët tjerë të atëhershëm shqiptar iu nënshtruan trusnisë së Beogradit me deklaratat e tyre në opinionin e atëhershëm se ” Kosova nuk hup kurrgjë nga autonomia e saj e atëhershme sipas Kushtetutës së vitit 1974”. Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 23 mars 1989 vendosi me shumicë të delegatëve, me përjashtim të 12-13 delegatëve, me e rikthye Kosovën në sistemin juridik kushtetues të Serbisë, duke ja zhveshur të gjitha atributet e autonomisë që e kishte gjer atëherë, duke përfshirë edhe të drejtën e vetos në raport me Serbinë. Pas kësaj shpesh herë në paraqitjet e veta politike diktatori i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviçi, krenohej duke dhënë deklarata të tilla politike se ” vet Kuvendi i Kosovës ishte ai që miratoi amendamentet e propozuara serbe dhe e ktheu Kosovën në sistemin politik dhe juridik të Serbisë”.

Tani në vitin 2015, tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Kosovë po krijohet një autonomi e re për entitetin serb me vetëm 5% të pjesëtarëve të saj në popullatën e gjithëmbarshme të Kosovës, me marrëveshjen e arritur në Bruksel për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (Zajednicës), duke anashkaluar Kuvendin e Kosovës e lere më mbajtjen e një referendumi për këtë çështje në të cilin populli i Kosovës do të thoshte fjalën e fundit lidhur me këtë propozim. Kjo do të themelohet me një dekret qeveritar dërguar Gjykatës Kushtetuese, e cila pas kësaj do të jep verdiktin e saj, e dihet që tani se ai vendim do të jetë pro themelimit të Zajednicës, sepse është një rast “sui generis” që vetëm në Kosovë mund të ndodh, pasi që vet Kosova është projektuar si e tillë ”sui generis”, dhe se tani gjithçka mund të bëhet dhe veprohet “sui generis”. Por për këtë veprim të tillë, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, janë marrë vesh në Bruksel me bashkësinë ndërkombëtare, që të shfajësojnë veten nga përgjegjësia e tyre, dhe “pataten e nxehtë” t’ia len Gjykatës Kushtetuese, për të cilin dihet se vendimi i saj është meritor, i pakthyeshëm, dhe i zbatueshëm në sistemin politik dhe juridik të Kosovës.
Marrëveshja e tanishme e arritur në mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Brukselit është një marrëveshje jo e mirë për Kosovën, pasi që me këtë do të vështirësojë funksionim e Kosovës dhe se me këtë Serbinë e bënë faktor të jashtëzakonshëm që të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, dhe se nëpërmjet Zajednicës si entitetit autonom politik serb , do të ketë qasje të drejtpërdrejtë për të ndërhyrë në zhvillimet politike shtetërore të Kosovës.
Faktorët vendimmarrës, Brukseli dhe Washingtoni, duke njohur shumë mirë gjendjen aktuale në Kosovë, si dhe nëpërmjet ambasadorëve të tyre të akredituar bëjnë trusni të vazhdueshme mbi rrethanat aktuale politike në Kosovë, me veprimet e tyre po e dobësojnë edhe më tepër funksionimin e shtetit të Kosovës, pasi që Kosova si një shtet i brishtë dhe i sabotuar nga Serbia që nga fillimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me miratim të heshtur të tyre, në vend se të parandalojnë ata në një mënyrë apo tjetër e përforcojnë edhe më shumë atë.
Duke marrë parasysh si shembull Republika Serpskën e cila si një entitet autonom brenda Bosnjës e pamundëson sot e kësaj dite funksionimin normal dhe stabil të shtetit të Bosnjës, në vend se këtë model të Bosnjës të e mënjanojnë, ata prapë atë si model e krijojnë edhe në Republikën e Kosovës nëpërmjet entitetit autonom Zajednica Sërpska.

Është indikative se nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga shtetet e porsakrijuara, si Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova, vetëm në Bosnjë e Hercegovinë me një shumicë myslimane (boshnjake), u krijua Republika Sërpska për një milion serb rezident të Bosnjës, dhe në Kosovë me një shumicë absolute myslimane (shqiptare), po krijohet Zajednica Sërpska për vetëm 100.000 serb rezident të Kosovës. Çudi se jo mahi!
E kjo në një të ardhme do të sjell probleme të paparashikueshme pasi që në rrethanat e reja të krijuara politike ndërkombëtare do të mund të vie gjer te bashkimi i gjithë shqiptarëve në një shtet të përbashkët shqiptar, e në këtë rast edhe serbët e Zajednica Serpskës do të kenë të drejtë që me referendum të kërkojnë të bashkohen me Serbinë, sikurse që tani këtë e kërkon Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, e që për momentin nuk lejohet nga faktori politik vendimmarrës të Brukselit dhe Washingtonit.

Është e njohur, se edhe shtetet tjera më të forta nuk mund të përballojnë dhe detyrohen të nënshtrohen diktatit të Washingtonit e Brukselit, pasi që në politikë nuk ka dominuar , as që dominon, por edhe as që do të dominojë ndonjëherë drejtësia, por forca e cila balancon raportet dhe marrëdhëniet globale në botë, e lere më Kosova si një shtet i ri i brishtë e cila akoma nuk e ka përfunduar shtetësinë e saj, dhe nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare, dhe se pa marr parasysh as pozita e tanishme, apo edhe opozita, nuk do të mund të rezistojnë një presioni të tillë ndërkombëtar, veçanërisht të Brukselit e posaçërisht të Washingtonit, dhe do të jenë të shtrënguar të nënshtrohen, pasi që mekanizma mbrojtës për të rezistuar presionit të tillë nuk kanë, duke marr parasysh se çfarë kapacitete politike, ekonomike, teknologjike, industriale e veçanërisht ushtarake posedojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Por, bile, na kurseni dhe mos na “bombardoni “me deklarata së bashku me lidershipin aktual të Prishtinës dhe Tiranës, me dokrra dhe broçkulla të formës
” se kjo marrëveshje është në dobi të Kosovës, se ajo përforcon dhe nuk e cenon integritetin dhe sovranitetin Kosovës, se me këtë Serbia e ka njohur pavarësinë e Kosovës,..etj.” Mos vallë mendoni se neve shqiptarët e Kosovës akoma jemi në fazën e periudhës kohore të viteve pesëdhjeta të shekullit XX-të: ” kur ishim sharraxhi dhe hamallxhi për të shërbyer zotërinjve serb të Beogradit duke prerë dru, duke bartur thëngjill apo duke pastruar rrugët e Beogradit”, por jemi në kohën e zhvillimeve të hovshme informative,dhe se kinse nuk i kuptojmë këto fraza boshe politike, pa sens politik e diplomatik, apo si i thonë neve në popull
”pa kripë”.

Por, shpresa dhe besimin në Zot që kemi, si dhe përpjekjet tona nuk do të ndalen asnjëherë për mbrojtjen dhe ruajtjen e pavarësisë e Kosovës, si fazë kalimtare drejt bashkimit në një shtet të vetëm shqiptar, në një të ardhme varësisht nga rrethanat e krijuara ndërkombëtare që do të mundësojnë një veprim të tillë.


*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Bëni një koment

Arivisti Company