E premte, 26 Shtator 2014
Lezhë – Një i burgosur në Shën Koll në Lezhë ka goditur me grushte e shkelma Prokurorin e çështjes në shenjë proteste për dënimin e dhënë.
Mësohet se Mariglen Përgjini, i dënuar me 7 vjet burg për vrasjen e një të riu në janar të 2013-ës, është “hakmarrë” ndaj prokurorit Ervin Beqiri të rrethit të Lezhës, pasi kishte kërkuar dënimin e tij me 20 vjet burg.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftojnë se janë marrë masa ndaj gardianëve që nuk kanë ndërhyrë në kohë për të shmangur këtë incident.
Ishte vetë prokurori i cili bëri kallëzimin penal në Organin e Akuzës jo vetëm ndaj të dënuarit Përgjini, por edhe ndaj dy gardianëve të cilët nuk vepruan për të shmangur ngjarjen.
Beqiri kishte shkuar në burgun e Shën Kollit për të marrë në pyetje dy të burgosur, por i dënuari Mariglen Përgjini, e ka pikasur dhe ka nisur ta ofendojë, dhe më pas e ka goditur me grushte e shkelma.
Ndërkohë kanë nisur hetimet në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj prokurorit në ambientet e burgut të Shën Kollit./shekulli/