I RIU EKZEKUTOHET ME 15 PLUMBA, PAS SHERRIT PËR FUTBOLL


E enjte, 6 Nëntor 2014

20141106152127305620

Një ekzekutim i tipit mafioz është kryer mbrëmjen e së mërkurës së 5 nëntorit në qytetin e Shkodrës, ku mbeti i vrarë Indrit Halili 26 vjeç nga Dobraçi.

Rreth orës 22:10 minuta, viktima ka qenë duke u kthyer në banesën e tij në zonën e “Mëhallës së re” në lagjen “Rus”, kur i është zënë pritë dhe është qëlluar me breshëri automatiku.

Policia ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar të kësaj ngjarje, që është 26 vjeçari Denis Arrila, edhe ky banues në Dobraç.

Sipas efektivëve të policisë, 26 vjeçari ka qenë duke u kthyer për në banesë në këmbë ndërsa disa metra larg tij ka qenë një automjet i parkuar.

Nga ky i fundit, ka dalë një person dhe ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tij, mbi 15 herë duke e lënë të vdekur në vend.

Pas kryerjes së krimit, automjeti është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, i favorizuar edhe nga errësira në këtë zonë.

Me të dëgjuar krismat e armës, kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë të riut, të cilin e kanë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, por për shkak të plagëve të marra, ky i fundit humbi jetën.

Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë si dhe grupi hetimor, që kanë nisur hetimet për ngjarjen në fjalë.

Sipas hetimeve të deritanishme dhe dëshmive të marra, blutë e Shkodrës bëjnë me dije se zanafilla e debatit mes 26-vjeçarit Halili dhe Arrilës ka qenë pak orë para ngjarjes, në një kalçeto, ku ato po luanin futboll.

Debati mes tyre ka degjeneruar deri në atë pikë sa të përdorej arma, për ti marrë jetën të riut.

Si provë materiale përveç gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar edhe celularin e viktimës, me të cilin ai ka qenë duke folur në momentin kur është ekzekutuar.

Halili (26) ka qenë më herët person i arrestuar nga policia për shkak të kundërshtimit të uniformave blu.

Gjithashtu ai ka punuar vite më parë si shofer i ish kryetarit të komunës.

Policia e Shkodrës nuk përjashton në pistën e saj të hetimit edhe ndonjë konflikt të mëparshëm që Halili mund të ketë patur me autorin, apo edhe persona të tjerë.

Gjatë mbrëmjes së shkuar përveç kontrolleve në hyrje-dalje të Shkodrës, policia ka kontrolluar edhe disa banesa, ku mësohet se në komisariat janë shoqëruar disa shtetas, që dyshohet të kenë qenë prezent në momentin e konfliktit mes të rinjve, por edhe që kanë njohuri mbi ngjarjen