Idrizi i thotë Bushatit: Ktheu nga Greqia si Ditmir dhe jo si Dhimitër


E diel, 20 Mars 2016

Tiranë – Një ditë para se ministri i Jashtëm të udhëtojë drejt Athinës, kryetari i PDIU-së i përcjell mesazhin që krahas axhendës diplomatike duhet të trajtohet dhe çështja çame e shqiptarëve të Çamërisë.

Në një konferencë për median paraditen e sotme, Idrizi vlerësoi pozitivisht vizitën e Bushatit në Greqi dhe i kërkon të të ngrejë çështjen çame.

“Krahas axhendës diplomatike për heqjen e ligjit të luftës, rinegocimin e marrëveshjes së Ujërave apo marrëveshjes së kufijve tokësorë, marrëveshjes për sigurimet shoqërore për emigrantët shqiptare që punojnë në Greqi, hapjes së shkollave shqipe për fëmijët e emigrantëve në Greqi etj, Ju drejtohem për Çështjen e Shqiptarëve të Çamërisë, që është edhe në programin e qeverisë Suaj. Rezoluta e datës 8.4.2004 e Kuvendit të Shqipërisë për Çështjen Çame ju ngarkon që ta trajtoni gjerësisht, pa tabu, pa tërheqje dhe publikisht Çështjen e Shqiptarëve të Çamërisë”, tha Idrizi.

Ai dhe një mesazh tjetër për krydiplomatin shqiptar.

“Zoti Ministër, po ju kujtoj që të ngrini me palën greke kërkesën e kahershme të Shoqatës Çamëria, për ngritjen e Varrezave të Shqiptarëve Çamë, të vrarë masivisht në Çamëri, për të cilët ne disponojmë dhe hartat e vendosjes së tyre. Kjo kërkesë duhet vlerësuar si humane, për çdo njeri që lë këtë botë, por dhe si reciprocitet të kërkesës së palës greke për ngritjen e 4 varrezave të tjera të ushtarëve greke të vrarë në Shqipëri, përveç 2 varreza që tashmë janë ngritur. Zoti Ministër, Ju kujtoj faktin së në hollin e Ministrisë së Jashtme Greke ku ju do të mbani konferencën Tuaj për shtyp me homologun grek është zhvilluar një konferencë për Çështjen Çame. Kjo është një arsye më shumë që t’Ju ftoj të thoni të vërtetën e pakundërshtueshme, të shqiptarëve të Çamërisë, të kombit tonë, timin, tuajin! Sepse e vërteta tremb vetëm ata që janë në anën e gabuar. Ju ftoj që të mbroni dinjitetin kombëtar dhe parimet e vlerat evropiane, në takimin tuaj në Athinë dhe jam besimplotë se do të ktheheni në Tiranë si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë me emrin DITMIR e jo si Dhimitër”, tha ai.

Etiketa: , , ,
Të fundit