Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Inaugurohet Parku për Inovacion dhe Trajnim në Prizren

Prizren Post | 13:05 - 19.05.2020

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

PRIZREN – Kryeministri në detyrë Albin Kurti, sot inauguroi Parkun për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, duke e quajtur hap të madh në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë, duke u orientuar në teknologjinë informative.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ambasadori gjerman, z. Christian Heldt, lansojnë thirrjen e parë për aplikime për bizneset dhe projektet kombëtare dhe ndërkombëtare për ta nxitur zhvillimin ekonomik.

Që nga sot, bizneset kombëtare dhe ndërkombëtare dhe iniciatorët e projekteve mund t’i dorëzojnë aplikacionet e tyre për të marrë me qira hapësirë në Parkun Kosovaro-Gjerman të Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren. Me 52 ndërtesat e tij dhe një infrastrukturë mbresëlënëse, parku prej 40 hektarësh do të jetë shtëpi e kompanive, bizneseve “start up” dhe ofruesve të trajnimeve, si dhe e institucioneve kërkimore të specializuara në TIK, agropërpunim dhe përpunim të ushqimit si dhe industri kreative dhe kulturore për t’i realizuar idetë dhe projektet e tyre inovative.

Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, z. Christian Heldt, lansuan së bashku thirrjen gjatë një vizite në ITP-në që ndodhet në Prizren. Në deklaratën e tij për media, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi:

“Bashkëpunimi i Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale së Gjermanisë ka një histori të gjatë që buron që nga lidhjet ndërmjet popujve tanë deri tek mbështetja gjermane për çlirimin e Kosovës. Kontributi pasluftë në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës është vlera më e lartë e cila ka mundësuar që sot një kamp i dikurshëm ushtarak të shndërrohet në një nyje ndërlidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare, ndërmjet sistemeve arsimore profesionale dhe kërkimore, duke hedhur hapin e parë e transformimit të ekonomisë dhe shoqërisë duke orientuar në teknologji informative, që na bën pjesë të revolucionit të katërt ekonomik. Kjo duke siguruar që ndërmjet Prizrenit me një kulturë dhe traditë të lashtë po i ofrojmë një perspektivë të rinjve që të zhvillojnë aftësitë dhe talentet e tyre duke u ndërlidhur përmes këtij Parku me tregun dinamik botëror të punës. Qeveria Gjermane dhe Qeveria e Kosovës janë përkushtuar që në afatgjatë të mundësojnë një gjë të tillë, dhe për këtë edhe kemi ndërmarrë veprimet që mundësojnë funksionalizimin e këtij Parku”

Ambasadori gjerman Christian Heldt deklaroi: “Sukseset në projekte të sofistikuara, siç është lansimi i sotëm i ITP-së, janë gjithmonë rezultat i punës ekipore. I punës ekipore midis dy qeverive tona, duke e bërë këtë një ndërmarrje të përbashkët të të dy vendeve. I punës ekipore të dy qeverive të njëpasnjëshme të Kosovës, që tregon se vazhdimësia e qeverisjes është e domosdoshme. I punës ekipore të kësaj qeverie, duke bashkuar përpjekjet e ministrave nga VV dhe LDK për ta funksionalizuar këtë për të ardhmen e vendit. Tani do të hyjmë në fazën operative nën menaxhimin e GIZ-it, ku projektet e para që tashmë janë duke pritur mund që më në fund t’i dorëzojnë aplikacionet e tyre. Me atraktivitetin e ITP-së për të siguruar hapësirë për grupime unike inovative, jam shumë i sigurt se së shpejti do të shohim projekte premtuese që krijojnë progres thelbësor për ITP-në, Prizrenin, Kosovën dhe rajonin.”

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Hykmete Bajrami, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, znj. Rozeta Hajdari, zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, z. Ilir Aliu, dhe kryetari i komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, iu bashkuan vizitës dhe shprehën mbështetjen e tyre për ITP-në.

Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren synon të nxisë ekonominë kombëtare dhe rajonale duke gjeneruar vende pune, duke krijuar inovacione dhe duke ofruar mundësi për aftësimin profesional si dhe mësimin dhe hulumtimin të orientuar në praktikë.

Ky projekt është iniciativë e përbashkët e qeverisë kosovare dhe asaj gjermane, i zyrtarizuar në një Deklaratë të Përbashkët në vitin 2018, dhe i zbatuar nga Shoqata ITP përmes GIZ-it. Nga viti 1999 deri në vitin 2018, kontigjenti gjerman i KFOR-it ishte i vendosur në Prizren dhe ka investuar miliona në rindërtime dhe ndërtesa të reja, si dhe një infrastrukturë mbresëlënëse që konsiston në TI cilësore, furnizim të sigurt me energji dhe ujë, rrugë si dhe struktura për ftohje dhe ngrirje. Inovatorët, zhvilluesit e biznesit dhe bizneset “start up” mund të marrin me qira hapësirën e tyre dhe t’i realizojnë idetë e tyre në një mjedis frymëzues parku.


Etiketa:

Bëni një koment