“iPhone 5S” nga sot në shitje


E premte, 20 Shtator 2013

Nga sot del në shitje telefoni i ri “iPhone 5S” i firmës Apple, që ndër të rejat e tjera sjell edhe teknologjinë e skanimit të shenjave të gishtit. Që tani piratët e kompjuterave kanë ofruar një shpërblim për personin që do të arrijë të jetë i pari të thyejë kodin biometrik.

Ekspertët e sigurisë në internet Nick Deepetrillo dhe Robert David Graham kanë krijuar një faqe elektronike për të grumbulluar fonde nga publiku për atë që do të arrijë të zbulojë kodin e shenjave të gishtave të telefonit të ri.

Skaneri i telefonit të ri përdor shenjat e gishtit për të bllokuar ose çbllokuar telefonin, në vend të kodit numerik që përdorin telefonat e tjerë. Ai që do të jetë i suksesshëm duhet të paraqesë të filmuar se si mund të arrijë të kopjojë shenjat e gishtave nga një sipërfaqe , t’i riprodhojë ato, dhe t’i përdorë për të hapur telefonin iPhone 5S të personit të cilit i janë kopjuar shenjat e gishtave.

Dy ekspertët thonë se teknologjia e telefonit është shumë e avancuar dhe ata e krijuan shpërblimin për t’u treguar njerëzve se riprodhimi i shenjave të gishtave është më i vështirë se sa mund të duket. Deri në mesditën e së enjtes rreth 50 vetë kishin ofruar mbi 3 mijë dollarë për shpërblimin.