IPK konfirmon suspendimin e policit të mbrojtjes së afërt të Kurtit


E premte, 5 Qershor 2026
IPK konfirmon suspendimin e policit të mbrojtjes së afërt të Kurtit

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konfirmuar se një zyrtar policor i angazhuar në mbrojtjen e afërt të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është suspenduar nga detyra pas rekomandimit të këtij institucioni.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, ky institucion bëri të ditur se rekomandimi për suspendim është dorëzuar rreth dhjetë ditë më parë, ndërsa vendimi është zbatuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Tutje në përgjigje bëhet e ditur se masa është ndërmarrë në kuadër të një hetimi që lidhet me një raport policor të vitit 2025 në Skenderaj. IPK tha se hetimet po fokusohen në deklarime kundërthënëse të dhëna lidhur me këtë rast.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, IPK ju konfirmon se në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor dhe i njëjti bazuar në rekomandimin e IPK-së është suspenduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Rekomandimi për suspendim është dorëzuar nga IPK në PK para 10 dite. Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me deklarimet kundërthënëse lidhur me rastin e vitit 2025”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për Klankosova.tv.

Lidhur me këtë rast nuk u dhanë detaje tjera.

Klankosova.tv mëson se suspendimi i zyrtarit policor është bërë për shkak të ndryshimit të deklaratës së tij në Polici për një rast që kishte ndodhur në Skenderaj më 2025, kur eskorta e Albin Kurtit, gjatë fushatës zgjedhore, ishte ankuar se kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, kishte synuar ta godiste eskortën e tij me veturë zyrtare.

Polici që e kishte raportuar rastin, atë ditë kishte thënë se është rrezikuar eskorta, ndërsa të nesërmen, në deklaratën e tij me shkrim në Polici, kishte thënë se nuk e kishte rrezikuar eskortën.


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit