Italia i kërkon Google-s borxhin prej 300 milionë euro


E enjte, 28 Janar 2016

Romë – Google i ka rreth 300 milionë euro borxh Italisë si detyrime tatimore për periudhën 2008-2013. Prokuroria e Milanos ka urdhëruar që pagesa e detyrimeve të bëhet zyrtarisht.

Prokuroria italiane urdhëroi kontrollin e pagesave të detyrimeve tatimore të kompanisë Google në vend dhe njoftoi se së shpejti edhe zyrtarisht do të paralajmërojnë udhëheqësinë e kompanisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Prokurorit të shtetit në Milano urdhëroi policinë financiare që të paralajmërojë kompaninë amerikane Google se duhet të shlyejë detyrimet e saj tatimore në lidhje me veprimtarinë në Itali.

Mediat italiane raportuan se prokuroria ka ndërmarrë këtë hap për shkak të taksave të papaguara të Google në periudhën 2008-2013. Udhëheqësia e Google tashmë është duke negociuar me agjencinë italiane tatimore Agenzia delle Entre.

Gazeta “La Repubblica” në kopertinën e sotme njoftoi se Google i ka borxh Italisë rreth 300 milionë euro detyrime tatimore.

I njëjti burim njofton se problemi mund të zgjidhet nëse Google pranon të paguajë gjobë prej 220 deri 270 milionë euro.

Kohët e fundit, një situatë e ngjashme ishte dhe me Apple, e cila për shkak të mos pagesës së borxhit tatimor prej 879 milionë eurosh, vendosi të paguaj gjobë prej 318 milion euro.

Kjo kompani me rastin e arritjes së marrëveshjes ka premtuar të hapë një qendër për krijimin e aplikacioneve për celularë ku do të punësojnë rreth 600 persona.

Etiketa: ,