E hënë, 12 Tetor 2026

Çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2026 i është dhënë poetes dhe eseistes 76-vjeçare kanadeze Anne Carson, njoftoi Akademia Suedeze.
Carson konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme në letërsinë moderne, duke u dalluar për punën e saj pioniere, e cila tejkalon kufijtë tradicionalë midis poezisë, prozës dhe kërkimit akademik.
Komiteti i Çmimit Nobel e arsyetoi zgjedhjen e tij, duke vënë në dukje se autorja kanadeze po nderohet “për punën e saj të guximshme dhe shpikëse, e cila, përmes një dialogu të gjallë me traditën klasike, ka formësuar forma të reja shprehjeje në letërsinë bashkëkohore”.
Ingrid Carlberg, sekretare e përhershme e Akademisë Suedeze, tha se e informoi Carson për çmimin e saj me telefon pak para njoftimit zyrtar.
“Ajo arriti të më tregonte se ndodhej aktualisht në Islandë, lajmi e habiti, por ishte shumë e lumtur. Mund ta dalloja nga zëri i saj”, theksoi Carlberg, duke përshkruar reagimin e poetes kanadeze kur mësoi se ishte vlerësuar me Çmimin Nobel.
Anders Olsson, kryetar i Komitetit të Nobelit për Letërsi të Akademisë Suedeze, vlerësoi mënyrën se si Ann Carson “u largua nga poezia lirike që është e lidhur me egon narrative, duke hapur shtigje të reja në letërsinë bashkëkohore”.
“Kjo metodë shkrimi çon në krijimin e veprave të karakterizuara nga një humor i gjallë dhe ironi, të cilat lidhin jo vetëm poezinë klasike me atë bashkëkohore, por edhe zhanre dhe forma të ndryshme letrare”, tha ai.
“Është çmenduri. Janë të gjithë të çmendur”, tha ajo në një intervistë të shkurtër në televizionin islandez.
Çmimi Nobel në Letërsi, i cili jepet për kontributin e përgjithshëm të një autori, konsiderohet si dallimi më i lartë letrar në botë. Çmimi shoqërohet nga një çmim në para prej 12 milionë kronorësh suedez, një shumë ekuivalente me afërsisht 900,000 paund ose 1.2 milionë dollarë. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
