Jahjaga: BE të angazhohet për barrikadën


E diel, 22 Qershor 2014

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, po përcjellë me shqetësim zhvillimet në qytetin e Mitrovicës dhe u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje dhe të ndihmojnë organet e rendit që të kryejnë punën e tyre.

Presidentja Jahjaga thekson se çfarëdo përpjekje për të gjetur zgjidhje përmes përdorimit të dhunës do të përshkallëzojë situatën dhe do të pengojë çdo proces të vendosjes së normalitetit në qytetin e Mitrovicës, dhe në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga thekson se lëvizja e lirë e qytetarëve është e drejtë themelore e mishëruar edhe në Kushtetutën e vendit dhe është parim thelbësor i demokracisë prandaj edhe çdo pengesë e vendosur në cilëndo pjesë të territorit të vendit pengon përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe dëmton proceset që çojnë drejt integrimit të secilit qytetar të vendit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Presidentja Jahjaga në takimet e fundit me përfaqësues të mekanizmave të sigurisë, ndërkombëtarë dhe vendorë, ka theksuar se rivendosja e barrikadës në urën e lumit Ibër, është e papranueshme dhe nuk i kontribuon i stabilitetit dhe paqes në vend.

Presidentja i bën thirrje Bashkimit Evropian që përmes angazhimit konkrete të gjejë zgjidhje për largimin e barrikadës në urën e lumit Ibër, që ka tensionuar situatën jo vetëm në Mitrovicë por në gjithë Kosovën dhe me të cilën dëmtohen proceset e zhvilluara në Bruksel dhe marrëveshjet e arritura për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Presidentja Jahjaga kërkon nga qytetarët e Mitrovicës dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të ndihmojnë në tejkalimin e situatës së krijuar dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e saj ndërkohë që nga organet e rendit kërkon rivendosjen e qetësisë në qytetin e Mitrovicës./rtk/

Etiketa: , , ,

Leave a Reply