Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Jahjaga ka kërkuar përmbushjen e kritereve për liberalizim

Prizren Post | 17:16 - 31.03.2015

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë Kosovë-Francë në Asamblenë Nacionale të Republikës së Francës.

Ajo falënderoi Grupin e Miqësisë për përkrahjen që vazhdon t’i japë Kosovës në avancimin e proceseve të saj demokratike dhe në veçanti në integrimet evropiane të vendit. Ajo e vlerësoi ndihmën që Republika e Francës i ka dhënë Kosovës dhe theksoi rëndësinë e thellimit dhe të zgjerimit të bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet dy vendeve.

Presidentja Jahjaga foli për të arriturat dhe sfidat e Kosovës, në fushën e ndërtimit të shtetit të së drejtës, në luftimin e dukurive negative dhe vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit, për migrimin ilegal dhe punën që po bëjnë institucionet e vendit në fushën e zhvillimit ekonomik, që mundëson hapjen e vendeve të reja të punës dhe gjithashtu edhe për krijimin e një klime të mirë të biznesit, që do të tërheqë investitorët e huaj.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po vazhdon ta konsolidojë praninë e saj ndërkombëtare, duke u bërë anëtare e një numri të madh organizatash ndërkombëtare, përfshirë edhe Frankofoninë, si një prej organizatave të rëndësishme në botë dhe tani po synon edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Ajo tha se ka kërkuar nga institucionet e vendit që të përshpejtojnë procesin e përmbushjes së të gjitha kritereve të përcaktuara për liberalizimin e vizave, që do të mundësonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit.

Delegacioni i Grupit të Miqësisë së Francës me Kosovën udhëhiqej nga kryetarja e Grupit, zonja Geneviève Gosselin-Fleury dhe në përbërje të tij ishte edhe nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kryetar i delegacionit parlamentar të Francës pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, zotëri René Rouquet. Delegacionin e shoqëronte edhe ambasadorja e Republikës së Francës në Kosovë, zonja zonja Maryse Daviet. Anëtarët e delegacionit e përgëzuan Presidenten Jahjaga për punën e bërë dhe rolin e saj dhe theksuan përkrahjen e tyre për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.


Bëni një koment