Ka filluar evakuimi i civilëve nga Halepi


E enjte, 15 Dhjetor 2016

evakuimi

Halep – Autokolona me 20 autobusë e cila transporton të plagosurit është nisur nga lindja e Halepit drejt pikave të kontrollit të regjimit, raporton Anadolu Agency.

Tentativa e parë për evakuimin e civilëve nga Halepi i cili ndodhet nën rrethimin e regjimit dhe milicëve shitë u pengua nga këta të fundit me anë të një sulmi ndaj autokolonës.

Sipas informacioneve të marra nga gazetari i AA atje, thuhet se autokolona prej 20 autobusëve transporton 200 të plagosur, ku 50 prej tyre janë në gjendje të rëndë. Autobusët kaluan nga rajoni Ramuse dhe lëvizën drejt pikave të kontrollit të regjimit.

Në rast se arrijnë të kalojnë nga pikat e kontrollit të plagosurit do të transferohen në autobusët që presin në anën e regjimit. Autokolona më pas do të vazhdojë rrugën e saj prej 4 kilometrash në pjesën e kontrolluar nga regjimi i Asadit dhe do të kalojë në rajonet e Halepit perëndimor të cilat gjendën nën kontrollin e opozitarëve.

Të plagosurit janë planifikuar të dërgohen në qytetin e Idlibit i cili ndodhet në afërsi të kufirit me Turqinë dhe që ndodhet nën kontrollin e opozitarëve.

Ndërkohë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e Kuqe e Sirisë është duke shoqëruar autokolonën e të plagosurve.

Në tentativën e parë për evakuimin e të plagosurve milicët shitë sulmuan me snajper autokolonën ku si pasojë 4 civilë mbetën të vrarë.