15°C
Prizren

Kanë filluar hetimet për “falsifikimet e hartave” të Demarkacionit

Prizren Post | 22:02 - 30.12.2017

Prishtinë – Derisa Kuvendi i Kosovës tashmë ka ndaluar së proceduari projektligjin për demarkacion në seancë të Kuvendit derisa të marrë një përgjigje nga Prokuroria rreth hetimeve për mundësi të falsifikimeve të hartave nga komisioni i kaluar qeveritar, Prokuroria e Shtetit i ka konfirmuar televizionit publik se ende është në fazën e verifikimeve të pretendimeve të parashtruara.

Përmes një përgjigje elektronike, zyrtarë të Prokurorisë së shtetit kanë bërë të ditur se prokurori i shtetit do t`i verifikojë të gjitha pretendimet e parashtruara dhe nëse gjenden elemente të ndonjë vepre penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare, do t`i ndërmarrë veprimet e duhura ligjore.

Derisa është në fazën e verifikimit të pretendimeve, Prokuroria ka njoftuar se nuk do të merret me supozimet për rrezikim të tërësisë territoriale të Kosovës. Këtë e arsyeton me faktin se kjo vepër penale parashihet të ndiqet në rast se tentohet dhuna apo kanosje me dhunë për shkëputjen e një pjese të territorit të Kosovës apo në rast se një pjesë e territorit të saj do t`ia bashkohej ndonjë shteti tjetër përmes përdorimit të dhunës.

Prokuroria e shtetit nuk ka bërë të ditur se kur do të dalë me të dhëna në rast se ka pasur falsifikim të hartave të paraqitura në raportin e komisionit të udhëhequr nga Murat Meha.

Ndërsa në mbledhjen e mbajtur ditë më parë, Komisioni për Punë të jashtme i Kuvendit të Kosovës nuk mori vendim ta procedojë projektligjin për demarkacion në seancë, me arsyetimin se duhet të presin një përgjigje nga Prokuroria rreth dyshimeve për falsifikim të hartave. /rtk/


Etiketa:
Arivisti Company