Katar: çmime për emra prestigjozë të përkthimit nga arabishtja në shqip


E diel, 21 Dhjetor 2025

Këto ditë, më 9 dhjetor, në Doha të Katarit, Departamenti i Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës u nderua me çmimin “Sheikh Hamad për Përkthim dhe Mirëkuptim Ndërkombëtar”. Ky çmim prestigjioz i jepet individëve dhe institucioneve që kontribuojnë në përkthime nga gjuha arabe në gjuhë të huaja dhe promovojnë dialogun ndërkulturor.

Në edicionin e 11-të të çmimit, juria vlerësoi punën dhe kontributin 53-vjeçar të profesorëve të Departamentit të Orientalistikës në fushën e përkthimit të veprave letrare dhe kulturore nga arabishtja në shqip. Përveç Departamentit, fitues nga Kosova këtë vit ishin edhe dy profesorë të pensionuar, prof. Feti Mehdiu dhe prof. Muhamed Mufaku. Në të kaluarën, profesori tjetër i këtij Departamenti, prof. Isa Memishi, kishte fituar të njëjtin çmim në vitin 2017 për Fjalorin Arabisht – Shqip.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit morën pjesë autoritete të larta dhe ministra të shtetit të Katarit, anëtarë të misioneve diplomatike në Doha, si dhe shkrimtarë, përkthyes dhe studiues.

Ambasadori i Kosovës në Katar, Fuad Morina, mori pjesë në këtë ngjarje dhe uroi fituesit nga Kosova, duke i falënderuar për kontributin e tyre shumëvjeçar në fuqizimin e bashkëpunimit kulturor midis Kosovës dhe vendeve arabe.

Ky çmim synon zgjerimin e komunikimit kulturor, promovimin e dialogut midis gjuhës arabe dhe gjuhëve të botës, forcimin e lidhjeve me institucionet akademike dhe kulturore, si dhe mbështetjen e përkthimit, mësimdhënies së gjuhës arabe dhe ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe njerëzore.

Në shkurt të këtij viti, zyrtarë të lartë të institucionit që jep këtë çmim vizituan Universitetin e Prishtinës, duke vënë bazat për këtë njohje ndërkombëtare.

Po ashtu, një çmim vlerësues i është dhënë dhe shtëpisë botuese “Logos” në Shkup, me drejtues Adnan Ismailin, një ndër entet botues më prestigjoze në fushën e letrave shqipe të mbarë hapësirës shqiptare. /tesheshi.com/   


Burimi: mesazhi.com

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit