E premte, 18 Tetor 2013
Prishtinë, 18 tetor – Pak muaj pas shitjes së Distribucionit të KEK-ut, dalin në pah mospajtimet e para mes blerësit turk dhe Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës. Këto mospajtime nisën pasi KEDS-i njoftoi se për shkak të problemeve të prodhimit të energjisë nga KEK-u dhe pamundësisë së menjëhershme të importit, gjatë ditës së sotme pritet të ketë reduktime të energjisë.
“Përkundër paralajmërimit të mëhershëm nga KEK-u, që prodhimi i energjisë elektrike do të jetë i bollshëm dhe do të mbulojë kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë ditëve në vijim, KEDS-i sot është informuar që problemet në njësitë gjeneruese të KEK-ut vazhdojnë edhe pas festave”, thuhej në komunikatën e KEDS-it, raporton KTV.
Mirëpo zyrtarët e KEK-ut këto deklarime i kanë quajtur të pavërteta. Nëpërmjet një reagimi, KEK-u ka pranuar të ketë pasur disa probleme me bllokun A5, mirëpo ka pasur energji të bollshme për furnizim me energji elektrike të konsumatorëve, por ndërprerja ka ndodhur për shkak të eksportit të energjisë nga ana e KEDS-it.
Etiketa: energjia elektrike, keds, kek, Kosovë