Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kerri krijon një “lëmsh” diplomatik për largimin e Asadit nga Siria

Prizren Post | 15:09 - 17.03.2015

Washington – Sekretarit Amerikan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry, tha se ShBA-ja do të negociojë me presidentin sirian Bashar al-Asad për një tranzicion politik në Siri, por kjo deklaratë e tij ka shkaktuar një konfuzion diplomatik që nuk i dihet se ku e ka fillin.

Presidenti sirian Bashar al Assad e mohoi deklaratën e Kerrit, duke thënë se është populli sirian ai që vendos dhe jo negociatat Siri – ShBA.

Gjatë një interviste për mediat vendase, Asadi tha se po dëgjojmë deklaratat, do të presim veprimet dhe më pas do të vendosim, duke shtuar se çdo ndryshim në frontin ndërkombëtar është i mirëpritur sa kohë këto ndryshime bëhen në mënyrë të ndershme dhe të kordinuara edhe me praktikën në terren.

Deklaratat e tij janë interpretuar si një qëndrim i moderuar, i cili nuk thotë asgjë për një largim të mundshëm nga pushteti.

Por, Kerri u kundërshtua edhe nga vetë vendi i tij. Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Jen Psaki, tha se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do të zhvillojnë negociata direkte me liderin e Sirisë, Bashar al-Assad, për zgjidhjen e konfliktit në Siri.

Ajo shtoi se Uashingtoni mund të zhvillojë negociata me përfaqësuesit e qeverisë së Asadit, por pa praninë e tij. Reagimi tjetër që shton edhe më shumë konfuzionin në këtë situatë, vjen nga Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius, i cili tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndryshojnë kurs politik me Sirinë dhe se për këtë e ka siguruar vetë Kerri gjatë një bisede telefonike.

“Fola sot në mëngjes me Kerrin në telefon dhe më garantoi se absolutisht asgjë nuk ka ndryshuar në politikën amerikane ndaj Sirisë”, tha Fabius , duke nënvizuar se gjithsesi, Franca nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me Sirinë.

Por si për ta zbutur këtë “lëmsh deklaratash”, Kerri foli për mediat amerikane dhe tha se në fund të fundit Amerika duhet të negociojë me Asadin.

Konflikti në Siri ka hyrë në vitin e pestë dhe nisi pas një proteste paqësore në 2011. Deri tani ka shkaktuar më shumë se 215 mijë viktima dhe ka detyruar mbi 2 milionë njerëz të braktisin vendin e tyre./shekulli/


Etiketa:
Arivisti Company