Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nesër do të shqyrtojë situatën në Kosovë


E enjte, 28 Gusht 2014

New York – Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nesër do të shqyrtojë situatën në Kosovë në bazë të raportit të rregullt të Sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon.

Bëhet e ditur se Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-moon do t’u bëjë Prishtinës e Beogradit që të vazhdojnë dialogun sa më parë për çështjet e pazgjidhura, pas një ndërprerjeje për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në Kosovë.

Delegacionin e Kosovës në këtë mbledhje, siç është paralajmëruar, do ta udhëheq ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Ai pritet të kërkojë mbështetje nga vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit që t’i bëhet presion Serbisë për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, të eliminojë strukturat paralele të saj nga Kosova, të respektojë lëvizjen e lirë të njerëzve, të japë kontributin për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Nga Beogradi bëhet e ditur se delegacionin e Serbisë do ta kryesojë Ivica Daçiq, ministër i Jashtëm i këtij vendi. Ai do të shoqërohet edhe nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Sipas paralajmërimeve në mediat e Beogradit, zyrtarët e këtij vendi, si edhe herëve të tjera, do të akuzojnë Kosovën për “problemet me të cilat përballen serbët” këtu.

Po ashtu theksohet se ministri serb Dacic do të kërkojë mbështetjen e KS të OKB për formimin sa më parë të Asociacionit të komunave serbe, siç thuhet “në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”.

Palët pritet të përshëndesin vendimin e Kosovës për formimin e gjykatës speciale për krimet e luftës në Kosovë.

Ndryshe, në raportin paraprak sekretari Ban kishte vlerësuar se kanë mbetur disa sfida në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës e Serbisë. Këshillin e Sigurimit gjatë këtij muaji e kryeson Britania e Madhe./rtk/

Etiketa: ,

Leave a Reply