Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Këto janë efektet në Kosovë, nëse ndodhë suspendimi i Shengenit

Prizren Post | 18:13 - 28.01.2016

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Kohëve të fundit janë shpeshtuar sinjalet nga ministrat e Brendshëm të qeverive të Bashkimit Evropian, se zona Shengen do të suspendohet për një kohë të caktuar.


Ministri holandez i Migrimeve, Klaas Dijkhoff, para pak ditësh tha se qeveritë do të kërkojnë që të vendosen kontrollet kufitare nga muaji maj i këtij viti, për shkak se numri i refugjatëve që po arrijnë në Evropë nuk është konform rregullave të Shengenit.

Ai madje i quajti këto masa të “pashmangshme”.
Edhe ministrja e Punëve të Brendshme e Austrisë, Johana Milk Leitner, ka deklaruar se “Shengeni është në prag të kolapsit”.

Por çfarë do të ndodhë me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, në rast se ndodhë ky pezullim i zonës Shengen?

Zyra për informim e Ministrisë së Integrimit Evropian, konsideron se suspendimi nuk do të ketë ndonjë efekt në Kosovë.

“Një gjë e tillë ka efekt vetëm për shtetet anëtare të vendeve të Zonës ‘Schengen’ dhe qytetarët e tyre. Kjo nuk ka asnjë lidhje me rastin e Kosovës”.

Por ndryshe mendon njohësi i çështjeve politike Arben Qirezi. Ai vlerëson se pezullimi i Shengenit do ta implikonte edhe Kosovën.

“Nëse ndodh pezullimi i Shengenit, kjo do të ketë efekte edhe në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse nuk mund të shkojnë që të dyja proceset njëkohësisht. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të ndalet së përmbushuri kriteret e liberalizimit, sepse ato janë edhe pjesë përbërëse e përafrimit me BE-në”, deklaron Qirezi./lajmi.net/


Arivisti Company