KFOR-i konfirmon të shtënat në afërsi të patrullës në Zubin Potok


E hënë, 26 Dhjetor 2022

PRISHTINË – Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë për mediat në Kosovë se “ka dëgjuar dhe ka parë” të shtëna në afërsi të një patrulle të tij në Zubin Potok – njëra nga katër komunat e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dieles, ndërsa KFOR-i tha se nuk ka të lënduar e as dëme materiale.

Më herët, Policia e Kosovës (PK) ka demantuar raportimet e mediave serbe se ka qenë e përfshirë në shkëmbim zjarri në Zubin Potok.

“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi. PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, thuhet në njoftimin për media.

Mediat serbe kanë raportuar të dielën mbrëma se rreth orës 19:45 janë dëgjuar shkëmbime zjarri në Zubin Potok, dhe se të shtënat kanë ndodhur pasi Policia e Kosovës “ka dashur të heqë njërën nga barrikadat” në këtë komunë në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi në Facebook se “lojërat e [presidentit serb Alesandar] Vuçiq dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë””.

“Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, shkroi ai.

Ai tha se barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se “Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”./REL

Etiketa: , , , ,