Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

KFOR-i ndërhyri në veri me kërkesë të EULEX-it

Prizren Post | 10:30 - 04.11.2013

Prishtinë, 4 nëntor – Forcat ndërkombëtare në Kosovë, KFOR-i, ka ndërhyrë mbrëmë pas sulmeve të ekstremistëve serbë në vendvotimet në pjesën veriore të Mitrovicës, ka bërë publike sot KFOR-i përmes një komunikate.

“Dje, në orët e hershme të pasditës pjesëtarët e KFOR-it kanë ndërhyrë me shpejtësi pas sulmeve në vendvotime në pjesën veriore të Mitrovicës. Me kërkesë të EULEX-it, forcat e KFOR-it, paraprakisht të sistemuara në veri të Kosovës me qëllim që të kontribuojnë për një ambient të sigurt e të parrezikshëm si dhe për të siguruar lëvizje të lirë gjatë zgjedhjeve, menjëherë kanë ndërhyrë”, thuhet në komunikatën e tij.

Brenda 15 minutash KFOR-i me kërkesë të EULEX-it ka sistemuar në pjesën veriore të Mitrovicës forcat për reagim të shpejtë të njësisë së specializuar multietnike të karabinierëve (MSU).

Brenda një orë, njësitë rezervë të Batalionit taktik rezervë manovrues (KTM) të KFOR-it po ashtu janë sistemuar në zonat problematike të Mitrovicës dhe në këtë mënyrë kanë mbështetur njësitet e KFOR-it të sistemuara në terren.

Veç kësaj KFOR-i ka reaguar edhe në rastin e sulmit në Zveçan duke vendosur edhe në atë terren rend, shton komunikata.

Më vonë, gjatë natës, KFOR, po ashtu me kërkesë të EULEX-it, ka organizuar siguri dhe ambient të sigurt si dhe lëvizje të lirë në rrugët nëpër të cilat u bë transporti i materialit zgjedhor në Qendrën e numërimit të votave.

KFOR-i, siç thekson komanda, do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e veta pa anshëm, me kujdes dhe vendosmëri me qëllim që të ofrojë ruajtjes së ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Pas incidenteve, në pjesën veriore të Mitrovicës automjete të karabinierëve janë vendosur përballë urës kryesore mbi Ibër.

Po ashtu gjatë natës raportohet se ka pasur edhe fluturime të theksuara helikopterësh të KFOR-it.


Etiketa:
Arivisti Company