E shtunë, 16 Gusht 2014
Ukraina bëri të ditur gjatë së premtes se kishte sulmuar dhe shkatërruar pjesërisht një autokolonë mjetesh të blinduara të Rusisë, të cilat kishin hyrë përgjatë natës në territorin ukrainas, një përleshje me armë që, nëse konfirmohet, mund të sinjalizojë një përkeqësim dramatik të konfliktit.
Qeveria ruse mohoi që forcat e saj të kishin kaluar kufirin drejt Ukrainës, si dhe akuzuan Kievin se po përpiqet të sabotojë autokolonën e ndihmave humanitare, por përfaqësuesit e BE-së akuzuan Kremlinin për përshkallëzimin e luftimeve.
Kievi dhe aleatët e tij Perëndimorë kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë në të kaluarën se po armatos rebelët separatistë pro-rusë në Lindje të Ukrainës, si dhe po dërgojnë njësi ushtarake të fshehta në tokën ukrainase. Por, nëse do të mund të tregohen mbetjet e makinave ushtarake rusë, të kapura apo shkatërruara në territorin ukrainas, atëherë kjo do t’i shtonte fuqinë akuzave të Kievit si dhe mund të nxiste një raund të ri sanksionesh kundër Kremlinit.
Andriy Lysenko, një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha gjatë një konference të shkurtër se forcat e Kievit kanë pikasur kolonën ushtarake ruse duke kaluar kufirin, duke u fshehur gjatë orëve të natës.
“Janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe një pjesë e tyre tashmë nuk ekziston më”, tha Lysenko. Presidenti ukrainas Petro Poroshenko njoftoi kryeministrin britanik, David Cameron, mbi incidentin dhe i tha atij se një pjesë “e rëndësishme” e kolonës ruse është shkatërruar, sipas deklaratës së publikuar nga zyra e Poroshenkos.
Britania thirri ambasadorin rus për t’i kërkuar atij sqarimin e raporteve për një inkursion ushtarak në territorin e Ukrainës. Ndërsa më herët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se aleanca ka parë atë që ai e quajti si inkursion të Rusisë në Ukrainë.
“Ky veprim vetëm sa konfirmon faktin që ne kemi parë një fluks të vazhdueshëm të armëve dhe luftëtarëve nga Rusia drejt Ukrainës lindore, dhe është një demonstrim i qartë i përfshirjes së vazhdueshme të Rusisë në destabilizimin e situatës në Ukrainën lindore”, tha shefi danez i NATO-s.
BE: Çdo ndërhyrje ushtarake ruse në Ukrainë, shkelje e ligjit ndërkombëtar
Bashkimi Europian bëri të ditur gjatë së premtes se do të konsiderojë çdo veprim të njëanshëm ushtarak të Rusisë në Ukrainë si “një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”.
Ministrat e Jashtëm të BE-së thanë përmes një deklarate të përbashkët, pas bisedimeve në Bruksel, se unioni 28-anëtarësh është “gjithnjë e më shumë i shqetësuar mbi përkeqësimin e krizës në Lindje të Ukrainës, dhe impaktin humanitar të saj mbi popullsinë civile”.
“Çdo veprim ushtarak i njëanshëm i Federatës Ruse në Ukrainë, për çfarëdo lloj preteksti përfshi edhe atë humanitar, do të konsiderohet nga Bashkimi Europian si një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”, thuhej në të.
BE mbetet e gatshme për të ndërmarrë sanksione të tjera edhe më të ashpra ndaj Rusisë, sipas “zhvillimit të situatës në terren”.
Etiketa: Rusia, ukraina