Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Konfirmohet edhe një rast me coronavirus në Kosovë

Prizren Post | 20:51 - 19.03.2020

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

PRISHTINË – Një tjetër rast i prekur me coronavirus është konfirmuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Me këtë, shkon në 21 numri i personave me virusin Covid-19, në vendin tonë.

“Sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 21 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe një prej tyre ka rezultuar pozitive.

Rasti pozitiv është rast me vendqëndrim në Janjevë komuna e Lipjanit, i gjinisë mashkullore me moshë 46 vjeçare i kthyer nga Berlini me aeroplan me 11 mars 2020

Nga data 08.02.2020 deri me 19.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 340 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej prej tyre, 21 (njëzet e një) raste kanë rezultuar pozitive.

Apelojmë të gjithë qytetarët e ardhur në këtë aeroplan të lajmërohen në numrin 038 200 80 800 në qendrën e thirrjeve në IKSHPK.

Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 2.853 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 809 thirrje telefonike.

Nga data 01.02.2020 deri me 19.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 14.442 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.015 udhëtarë, Merdare 4.882, Vërmicë 3.832, Jarinje 929, Dheu i Bardhë 891, Hani i Elezit 1.430, Kullë 822, Qafë Morinë 47, Bërnjak 414, Qafë Prush 35, Muçibabë 144 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me COVID-19, po monitoron të gjitha rastet e kontakteve dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetizolim shtëpiak.

Ekipet e QRShP në rajonet përkatëse janë në terren dhe janë duke i kontakuar kontaktet e kontakteve të rasteve pozitive me COVID-19 për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë duke rekomanduar që personat të vetëizolohen dhe ata që kanë simptome të lajmërohen në klinikën infektive.

Në IKShPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në bazë të qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë është rekomanduar reduktimi i operacioneve elektive dhe i vizitave në ambulancat specialistike spitalore.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 19 mars 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 225.252 raste të COVID-19 me 9.276 raste të vdekjes, numri më i madh i rasteve raportohet nga Kina (80.928), Italia (35.713), Irani (18.407), përderisa në BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar gjithsej 93,419 raste të COVID-19: Itali (35.713), Spanjë (14.769), Francë (9.134), Gjermani (12.327), Mbretëri të Bashkuar (2.626), Holandë (2.051), Belgjikë (1.486), Greqi (418), Turqi (191), Serbi (97), Kroaci (99), Shqipëri (59), Maqedoni e veriut (43) dhe Mal të zi (8).

Deri me 19 mars 2020, numrin më të madh të vdekjeve e shenon Kina me (3.245), Italia me (2.978), Iran (1.284), nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të Bashkuar janë raportuar 4.188 raste të vdekjes: Itali (2.978), Spanjë (638), Francë (264), Mbretëri të Bashkuar (104), Gjermani (31), Belgjikë (14), Norvegji (6), Austri (5), Poloni (5), Greqi (5), Luksemburg (4), Danimarkë (4), Bullgari (3), Irlandë (2), Turqi (2), Shqipëri (2), dhe Hungari (1).

Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

IKShPK shpreh shqetësimin për lëvizjet e shumta dhe grumbullime të qytetarëve në qytet, parqe dhe vende rekreative të hapura, të cilat mund të rrezikojnë shëndetin e popullatës dhe përhapjen e COVID-19, e cila aktualisht është e lokalizuar.

Por, nëse nuk u përmbahemi masave të rekomanduara më herët nga MSh dhe IKSHPK për qëndrim në shtëpi, respektim të masave higjienike dhe të distancimit social, atëherë rrezikojmë të kemi përhapje komunitare.

TA PARANDALOJMË KËTË!

QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!


Etiketa:

Bëni një koment