Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Korea e Veriut: Obama, majmun në një pyll tropikal

Prizren Post | 05:41 - 28.12.2014

Pyongyang – Koreja e Veriut ka akuzuar presidentin amerikan, Barack Obama për shfaqjen e filmit “Intervista” (The Interview), një komedi e cila ka në qendër një komplot imagjinar për të vrarë udhëheqësin koerano-verior, Kim Jong-Un.

Komisioni Kombëtar i Mbrojtjes i Koresë së Veriut e akuzoi presidentin Obama për shpifje dhe fyerje racore, duke e cilësuar atë të pamatur në fjalë dhe në veprime, si një majmun në një pyll tropikal. Zëdhënësi i Komisionit e denoncoi filmin si të pandershëm, reaksionar dhe një film që dëmton dinjitetin e udhëheqësit suprem të Korejsë së Veriut. Sipas deklaratës, fajtori kryesor në këtë ngjarje është presidenti Obama, që me presionin e tij, e detyroi kompaninë filmike “Sony” të shfaqë filmin në kinema dhe online.

Filmi që ka ngjallur debate po shfaqet në kinematë amerikane dhe interesi i publikut është tejet i madh. Hedhja e filmit në treg erdhi pasi kompania e ndryshoi vendimin për tërheqjen e filmit pas kritikave të ashpra nga presidenti Obama, grupet e të drejtave, por edhe vetë aktorët hollivudianë. “Sony” e anuloi hedhjen në treg pas një sulmi masiv kibernetik në rrjetin e saj të korporatave dhe pas kërcënimeve me dhunë ndaj kinemave. “Intervista” është një komedi që ka në qendër dy gazetarë të rekrutuar nga inteligjenca amerikane për të vrarë udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un.


Etiketa:
Arivisti Company