Kosova dhe Serbia me versione të ndryshme për arrestimin e tre policëve


E mërkurë, 14 Qershor 2023

PRISHTINË – Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të vendit.

Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Çfarë u tha në Kosovë?

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.

“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, shkroi ai në Facebook.

Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar “të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë, që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë, por edhe të ndalë provokimet e saj”.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia policore ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, ka njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe ka kërkuar asistencë. Drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.

“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.

Në një konferencë për media, Baki Kelani nga Policia e Kosovës, e quajti këtë veprim si “kidnapim klasik” nga forcat e njësive speciale serbe.

Ai tha se Serbia edhe në të kaluar ka rrëmbyer policë të Kosovës, sikurse më 2011, kur sipas tij u rrëmbyen dy zyrtarë policorë kosovarë.

“Policia e Kosovës është e brengosur dhe e dënon kidnapimin klasik. Sigurojmë qytetarët tanë që Policia e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë që të kryejë detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore”, tha Kelani.

Ai akuzoi Serbinë se po përdorë rrëmbimet e zyrtarëve policorë për të destabilizuar veriun dhe “për të mbrojtur kriminelët”.

Kelani tha se zyrtarët policorë janë policë patrullues, e paqeruajtës.

“Unë dua të ju siguroj që ata janë tre zyrtarë të moshës së shtyrë rreth 50 vjeç apo edhe mbi 50 vjeç”, tha ai.

Kelani shtoi se Policia e Kosovës do të shtojë praninë e saj në vendet ku vlerësohet se është e nevojshme.

Çfarë u tha në Serbi?

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.

Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet R.Z, B.S dhe M.Sh.

“Ata u arrestuan në orën 12:38 në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica në afërsi të Rashkës”, tha Petkoviq gjatë një konference për media në Beograd.

Rashka gjendet në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zhelko Bërkiq, gjatë një konference për media tha se policët e Kosovës kanë ardhur me veturë zyrtare në vendkalimin alternativ Tresava-Batnjik, ku e kanë lënë veturën dhe kanë vazhduar në këmbë përgjatë rrugës Orahovë- Gnjillicë, ku, sipas tij, janë lokalizuar dhe arrestuar./REL

Etiketa: , , , ,
Të fundit