E diel, 18 Nëntor 2018
Përfaqësuesja e Kosovës ka fituar me rezultat të thellë 0-5 në udhëtimin e tyre te Malta në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kosova ka arritur të marrë një fitore të madhe në udhëtimin e tyre te Malta në kuadër të Grupit 3 të Ligës D, ku për 90 minuta dominuan lojën.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të plotë të Dardanëve, të cilët arritën të shënojnë edhe një gol.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 15-të dhe ishte Vedat Muriqi, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Milot Rashicës.
Në pjesën e dytë, Kosova ishte e papërmbajtshme duke rrezikuar në çdo minutë, ku shënoi edhe katër gola.
Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 70-të dhe ishte Benjamin Kololli, i cili shënoi për 0-2 me parabolë pas një bashkëveprimi të mirë me Rashicën.
Pas këtij goli, Kosova mori zemër dhe shpejt shënoi dy gola me rezervistin Donis Avdijaj, i cili shënoi në minutën e 78-të për 0-3 pas asistimit të Muriqit, ndërsa dy minuta më vonë shënoi për 0-4 pas asistimit të Rashicës.
Pas tri asistimeve të bëra, Rashica gjeti edhe golin në këtë ndeshjes pasi në minutën e 86-të shënoi një gol të bukur nga distanca për të vulosur rezultatin përfundimtar 0-5.
Me këtë fitore, Kosova ka 11 pikë në vendin e parë, ndërsa Azerbajxhani ka 9 pikë në vendin e dytë.
Pikërisht këto dy ekipe do të luajnë mes vete të martën në stadiumin Fadil Vokrri për të vulosur liderin e grupit, njofton Telegrafi.
Etiketa: Kosova, Malta, Përfaqësuesja, UEFA Nations League