Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kosova, masë ekonomike edhe ndaj Maqedonisë së Veriut

Prizren Post | 18:00 - 16.08.2019

PRISHTINË – Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala ka marrë sot vendimin për vendosjen e masave reciproke ndaj produkteve të Maqedonisë së Veriut, të cilat importohen në Kosovë si dhe ndalimin e hyrjes së disa prej tyre, konkretisht mjaltit natyral dhe patates.

Sipas ministrit, qëllimi është të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektojë dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet.

Përmes një postimi në Facebook, Shala shkruan:

“Që nga qershori i këtij viti kur produktit të Kosovës, rasadit të peshkut i janë vendosur barrierat tarifore nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut kam qenë në kontakt me autoritetet e këtij shteti dhe kemi dërguar ankesa nëpërmes sekretariatit të CEFTA-së, por edhe letër personale ministrit të tyre të ekonomisë.

Dhe tashmë kanë kaluar dy muaj dhe nuk kemi asnjë përgjigje, prandaj jam i detyruar që në mbrojtje të interesit të Kosovës, biznesit kosovar dhe në mbrojtje të prodhimeve tona që të ndërmarr veprime të tjera ligjore, në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.

Sot kam marr vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektoj dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet.

Reciprociteti, partneriteti dhe trajtimi i barabartë i prodhimeve kosovare gjatë eksportit në vendet e rajonit, është e vetmja rrugë me të cilën duhet të ecim përpara. Në rast se ky tretman do të vazhdojë ne do të marrim edhe hapa tjerë, jo vetëm ndaj këtij shteti por edhe shteteve tjera. Tashmë asnjë prodhim i Kosovës që eksportohet jashtë nuk do të ketë tretman të pabarabartë,” tha Shala.

Vendimi mund të mos ketë zbatim në rast se Gjykata Kushtetuese del me përgjigje se qeveria e tanishme nuk ka kompetenca për të marrë vendime, meqë është qeveri në dorëheqje.


Etiketa:
Arivisti Company