Kosova në kolaps energjetik, KEDS shfajësohet


E diel, 30 Gusht 2015

Kosova aktualisht është në kolaps energjetik. Në shumë rajone ka mungesë të rrymës që nga dita e djeshme. KEDS-i e shfajëson veten dhe këtë e arsyeton me problemet në prodhimin vendor.

Ja komunikata e KEDS-it:

Kohë më parë, operatori i transmisionit KOSTT, ka paralajmëruar që është duke hyrë në proces të vëzhgimit nga ana e ENTSO, proces ky i rëndësisë së vecantë që mund të rezultojë në anëtarësimin e KOSTT me të drejta të plota në këtë organizatë dhe me plot përfitime tjera për sistemin energjetik në Kosovë. Fatkeqësisht, devijimet e mëdha nuk lejohen andaj edhe duke qenë se në Kosovë nuk ka kapacitete rezervë të energjisë elektrike, cdo devijim i paplanifikuar nga prodhimi mund të shkaktojë probleme të mëdha në furnizim.

Në anën tjetër, dje ishte paralajmëruar kthimi në prodhim i njësisë B1 të KEK, e cila njësi nuk është kthyer në prodhim dhe është shtyrë për sot në mesnatë. Me fjalë tjera, pa planifikim paraprak dhe pa paralajmërim, Kosova sot është duke u përballur me mungesë prej më shumë se 260 MWh të energjisë elektrike, mungesë kjo shumë e madhe marrë parasysh limitet në mbulimin e devijimeve për shkak të proceseve në KOSTT si dhe pamundësinë për të importuar në afat të shkurtë kohor.

KEDS nga orët e hershme të mëngjesit është duke bërë të pamundurën që pa planifikim paraprak të importojë energjinë e mjaftueshme për furnizim, sidoqoftë, ky proces është i vështirë dhe kërkon kohë dhe përfundimisht varet nga sasitë e disponueshme të energjisë elektrike në rajon që janë të limituara gjatë ditëve të verës. Nga ora 13:00 KEDSO dhe KESCO do të importojnë gjithë energjinë e gatshme në rajon dhe shpresojmë që kjo do të mbulojë kërkesat e konsumatorëve andaj edhe luten te gjithe te kursejne.

Në anën tjetër, nga KEK jemi informuar që janë duke bërë të pamundurën që të kthejnë njësinë B1 në prodhim sot në mesnatë, edhe pse ishte e planifikuar që kjo njësi të kthehej dje.

Edhe njëherë, edhe pse nuk është përgjegjësi e operatorit të furnizimit (KESCO) të mbulojë mungesën e paplanifikuar të energjisë elektrike gjatë ditës (intra day), ne jemi duke bërë të pamundurën të sigurojmë energji të mjaftueshme për furnizim. Lusim të gjithë operatorët tjerë të jenë transparentë dhe të ofrojnë informata korrekte për konsumatorët duke qenë se të gjithë jemi duke bërë të pamundurën të gjejmë zgjidhjet më të mira për konsumatorët.

Vlerësojmë që procesi i anëtarësimit të KOSTT është i rëndësisë së vecantë për Kosovën andaj edhe jemi duke importuar gjithë cka është e disponueshme, pa marrë parasysh cmimin dhe shpresomë që i gjithë procesi do të përfundojë me sukses.

Etiketa: ,
Të fundit