Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kosova në prag të zgjedhjeve lokale

Prizren Post | 15:00 - 15.10.2021

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

PRIZREN – Qytetarët e Kosovës këtë të diel drejtohen në kutitë e votimit për të zgjedhur kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e Kuvendeve Komunale në kuadër të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, raporton Anadolu Agency.

Gjithsej 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë do të kenë të drejtë vote apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 14 shkurt të vitit 2021.

Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883, me gjithsej 2.477 vendvotime.

Nga 15 shtatori deri më 15 tetor, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) hapi periudhën e votimit përmes postës për qytetarët që jetojnë në diasporë. Numri i aplikuesve që u regjistruan si votues jashtë Kosovës dhe që mund të votojnë përmes postës është 15.532.

Në këto zgjedhje për kryetar të komunave do të garojnë 158 kandidatë, ndërsa rreth 5.300 kandidatë garojnë për pozitën e anëtarit të Kuvendit Komunal në komunat përkatëse.

Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara është 90, prej të cilave 32 parti politike, 34 iniciativa qytetare, 1 koalicion dhe 23 kandidatë të pavarur.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të këtij viti, do të garojë në 28 komuna për pozitën e kryetarit dhe me 933 kandidatë për kuvende komunale.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila doli partia e dytë më e madhe nga zgjedhjet e fundit parlamentare, do të garojë në 29 komuna për kryetar dhe me 875 kandidatë për kuvende komunale.

Ndërsa partia e tretë më e madhe sipas zgjedhjeve të fundit parlamentare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të garojë në 27 komuna për kryetar dhe me 841 kandidatë për kuvende komunale.

Fushata zgjedhore për kandidatët për kryetarë të komunave dhe anëtarë të kuvendeve komunale u hap nga KQZ-ja më 16 shtator me kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Partitë politike fushatën zgjedhore e fokusuan më shumë në rrjetet sociale dhe media, për shkak të rrethanave të krijuara me përhapjen e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Fokusi kryesor i partive politike gjatë fushatës ka qenë tek komunat e mëdha, me theks të veçantë kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, për të cilën kryesisht u premtua rregullim i komunikacionit, hapësira të gjelbra dhe shërbime më efikase.

Sa i përket masave mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19, KQZ-ja ka kërkuar nga komisionerët dhe vëzhguesit e këtyre zgjedhjeve të jenë të vaksinuar ose të kenë dëshminë e testit negativ ndaj virusit ose dëshmi se e kanë kaluar sëmundjen. Por ky rregull nuk do të vlejë edhe për votuesit, të cilët do të duhet që gjatë votimit të jenë të pajisur me maska mbrojtëse dhe të mbajnë distancë fizike.

Më 15 qershor të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli 17 tetorin datën për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, pas konsultimeve që zhvilloi me partitë politike.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë u mbajtën më 22 tetor të vitit 2017 kur 44,1 për qind e votuesve shfrytëzuan të drejtën e votës. Këto zgjedhje për kryetarë të komunave janë të pestat me radhë, ndërsa për Kuvende Komunale janë të shtatat me radhë, që nga mbajtja e parë e tyre në periudhën e pasluftës, respektivisht në vitin 2000.


Etiketa:

Bëni një koment