Kosova nuk e ka luksin për qeveri teknike


E hënë, 20 Tetor 2014

Zgjedhje

Analisti politik, përkatësisht ish zëvendëspresidenti i Universitetit Amerikan në Kosovë dhe ish ndihmësdrejtori i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, Ilir Ibrahimi ka vlerësuar se një qeveri teknike në këtë moment do të ishte vetëm një mënyrë për t’i bërë qefin vetes se kemi institucione, por nuk do të mund të prisnim ndonjë rezultat nga një qeveri e tillë.
Ai ka vlerësuar se Kosova nuk ka luksin për të bërë eksperimente të tilla, prandaj mendon se një alternativë e tillë do të ishte me shumë pasoja, duke shtuar se konsideron që arsyeja pse PDK ka mbetur e vetme është se të gjithë që kanë arritur marrëveshje me këtë subjekt politik janë “djegur”.

Ibrahimi thekson se presidentja e vendit do të dijë që në momentin e duhur të tregojë vendosmëri dhe lidership, në atë për të cilën ka edhe obligim kushtetues, funksionimin e institucioneve shtetërore dhe mbarëvajtjen e vendit. Një qeveri teknike sipas tij vetëm sa do t’ua bënte qejfin liderëve partiakë se vendi është bërë me institucione.

“Ngërçi politik i cili po zgjat tanimë për disa muaj, gjë që si duket nuk është pritur nga askush, ka filluar të vë në siklet instanca të ndryshme vendimmarrëse vendore dhe ndërkombëtare. Tani kur po i afrohemi fundit të vitit, e kur do të duhej të votohej buxheti i vitit të ardhshëm, dhe të merren shumë vendime të tjera që i duhen një shteti normal me institucione adekuate për t’i marrë këto vendime, shohim një nervozizëm, sidomos te miqtë tanë ndërkombëtarë. Situata që po shohim çdo ditë me këtë ngërç politik po tregon se fatkeqësisht klasa politike kosovare nuk është e gatshme të marrë atë përgjegjësi që e ka një shtet plotësisht i pavarur”, ka vlerësuar Ibrahimi.

Sipas tij, ngërçi politik, pikë së pari po ndodh sepse liderët politikë po synojnë ‘rehatimin’ e tyre në pozitat udhëheqëse të shtetit dhe jo për shkak se po synohet më e mira për vendin.

“Sot po luftohet se kush do të marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe jo se çfarë do të duhej të bëj ai Kuvend. Nesër, nëse kalohet sfida në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, do të luftohet se kush do të ulet në karrigen e kryeministrit dhe jo se çfarë do të duhet të bënte kryeministri i vendit. Prandaj kjo luftë e liderëve politikë për pozitat e tyre individuale po bëhet aq patetike, sa qytetarët kanë filluar të ndiejnë mëshirë për pozitën se ku kanë rënë këta politikanë. Kjo është një gjë e rrezikshme sidomos për një vend të ri si Kosova, sepse humbja e besimit në klasën politike qon në situate të paparashikueshme dhe anarkike. E kur dihet që Kosova është një projekt i bashkësisë ndërkombëtare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, atëherë një dështim i mundshëm, është edhe dështim i tyre. Kjo edhe e justifikon nervozizmin qe po shohim te miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët ndoshta pa të drejtë kanë besuar se klasa politike kosovare është e gatshme të menaxhojë me detyrimet që ka një shtet i pavarur dhe kanë deklaruar se do të rrinë anash”, ka thënë Ibrahimi.

Në pyetjen e Tribuna-s se është përmendur mundësia e krijimit të një qeverie teknike përkatësisht nëse Kosovës i nevojitet një qeveri e tillë, Ibrahimi ka thënë se duke pasur parasysh polarizimin e skenës politike, vendimet e rëndësishme që pritet të marrin institucionet e ardhshme dhe pasojat që do t’i përjetojmë si shkak i ngërçit të tanishëm politik, do ta bënin një qeveri teknike të destinuar të dështojë.

“Një qeveri teknike në këtë moment do të ishte vetëm një mënyrë për t’i bërë qefin vetes se kemi institucione por nuk do të mund të prisnim ndonjë rezultat nga një qeveri e tillë. Kosova nuk mendoj se ka luksin për të bërë eksperimente të tilla prandaj mendoj se një alternativë e tillë do të ishte me shumë pasoja”.

Duke folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme si dalje nga kjo krizë, Ibrahimi ka konstatuar se demokracia është e bazuar në kompromise të vazhdueshme ndërmjet atyre që marrin mandatin e qytetarit.

“Partitë politike nuk duhet pasur si synim vetëm arritjen e këtij 51 për qindëshi për të marrë qeverisjen, por të ndërtojnë një kulturë kompromisi ku vend qendror duhet të ketë qytetari dhe mirëqenia e tij. Nëse shkohet në zgjedhje të reja me synimin për të kaluar ngërçin duke synuar ndryshimin e konstelacionit të arritjes së këtij 51 për qindëshi, atëherë herët a vonë do të vijmë në pozitën e njëjtë ku jemi sot”, ka vlerësuar ndër tjerash Ibrahimi. /Tribuna/