Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kosova shpejt do t’i plotësojë kriteret për liberalizim

Prizren Post | 09:22 - 17.02.2015

Prishtinë – Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku thotë se është optimist se Kosova do të përmbushë shumë shpejt të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ministri Çollaku ka raportuar sot në Komisionin për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës pikërisht për këtë çështje. Ai tha se sa i përket afateve kohore, përkatësisht se kur Kosova do të marrë datën e saktë për heqjen e vizave nuk e di, pasi sipas tij kjo është në dorë të Komisionit Evropian, por shtoi se shteti do të përmbushë kriteret e mbetura për liberalizim më së voni deri në mesin e këtij viti.

“Sot kam pasur një takim shumë të hapur dhe produktiv me Komisionin parlamentar për integrime evropiane. Një nga temat e rëndësishme padyshim ishte edhe çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë kontekst kam raportuar për sfidat aktuale dhe afatet e përafërta kohore se kur pritet të përmbyllet ky proces. Sa i përket afateve kohore, e kam bërë të qartë se Kosova këtë vit, deri nga mesi i këtij viti do t’i përmbushë kriteret e mbetura në kuadër të këtij procesi. Ndërsa pastaj është në diskrecionin e BE të vendosë se kur Kosova do ta marrë datën e saktë për heqjen e vizave. Kjo nënkupton se në asnjë rrethanë nuk e kam paragjykuar vitin apo periudhën kohore kur Komisioni Evropian do ta bëjë rekomandim pozitiv për heqjen e vizave. Për më tepër, kam shtuar se nëse një gjë e tillë do të varej nga vullneti ynë politik, liberalizimi i vizave për Kosovën do të duhej të ndodhte dje dhe jo nesër”, tha Çollaku.


Etiketa:
Arivisti Company