Kosova, si qendër rehabilitimi i FETO-s


E martë, 26 Korrik 2016

ks-flamur

Pjesëmarrja në “ngritjen e kurthit ndaj ushtrisë” dhe tentativën për puç më 15 korrik e disa emrave që më parë kishin ushtruar detyra në batalionin turk në kuadër të NATO-s në Kosovë dhe njësitet policore në kuadër të EULEX-it, ka bërë që të ngriten pohime se ky shtet është përdorur si “qendër rehabilitimi” nga ana e Organizatës Terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).

Dërgimi në njësitet policore në Kosovë si mënyrë shpërblimi i disa zyrtarëve të sigurisë turke të cilët kishin marrë rol aktiv në kurthin ndaj ushtrisë gjatë proceseve Balyoz dhe Ergenekon në Turqi, ka ngjallur mundësinë se këta persona janë dërguar në këtë shtet nga FETO edhe për t’u larguar nga skena e tendosur, edhe për t’u angazhuar në ndonjë detyrë të re të “tradhtisë”.

Po ashtu, deklaratat e një zyrtari turk që ka qenë i angazhuar me detyrë për një kohë të gjatë në Kosovë, i verifikojnë këto pohime.

Zyrtari në fjalë i cili ka kërkuar që të mos i shfaqet emri, theksoi se, pas tentativës së dështuar për grusht shteti nga FETO, sikurse shumë njerëz, edhe ai vetë i ka analizuar përvojat e kaluara si një shirit filmi dhe gjërat që nuk ka mundur t’i kuptojë më parë tani i janë bërë të qarta.

Ai ka vënë në pah se disa komandantë që më parë kishin ushtruar detyra në batalionin turk në qytetin e Prizrenit, janë arrestuar me arsyetimin për pjesëmarrje në tentativën për grusht shteti më 15 korrik dhe shtoi se njësiti policor turk në kuadër të EULEX-it duhet hulumtuar si çështje e veçantë.

Zyrtari në fjalë u shpreh se nga televizioni kishte mësuar për arrestimin e shumë policëve turq që i kishte njohur nga Kosova të cilët u përfshinë në ngjarjet e 17-25 dhjetorit të vitit 2013 dhe në kuadër të operacioneve në lidhje me ngritjen e kurthit ndaj ushtrisë. Ai tha se persona të caktuar në strukturën e FETO-s brenda ushtrisë dhe policisë turke e kanë shfrytëzuar misionin e tyre në Kosovë si një stacion.

Sipas zyrtarit, një pjesë e madhe e personave që kanë marrë pjesë në operacionet e ngritjes së kurthit ndaj ushtrisë turke përmes proceseve Ergenekon dhe Balyoz, ishin dërguar në detyrë të jashtme në Kosovë.

Ai u shpreh se organizata në këtë mënyrë ka dëshiruar t’i largojë nga skena këta persona dhe t’i shpërblejë, e në njëfarë mënyre gjithashtu t’i rehabilitojë për ndonjë detyrë të re “tradhtie”.