KQZ çertifikoi 18 subjekte politike


E hënë, 19 Maj 2014

Prishtinë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 18 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. Megjithatë, në mesin e subjekteve të certifikuara nuk janë asnjë nga partitë e mëdha, si PDK, LDK, AAK, VV apo AKR, por shumica kanë qenë të komuniteteve. Ndërkohë, deri më sot kanë aplikuar për të votuar nga jashtë vendit mbi 5 mijë qytetarë të Kosovës.

KQZ-ja në mbledhjen e saj, ka bërë edhe ndërrimin e anëtarëve të Kuvendeve komunale në Veri të Kosovës, ku pati kundërshtime, pasi shkresat e dërguara nga kuvendet komunale nuk përmbanin asnjë simbol të Republikës së Kosovës.

Drejtori i Zyrës Ligjore në KQZ, Xhemajl Peqani tha se këto zëvendësime kanë qenë maratonike, sepse gati që tre muaj sillen nëpër zyrën ligjore, mirëpo kanë një kërkesë që nuk i ka përmbushur kriteret.

“Ne kemi trajtuar dy herë në këshill dhe këshilli ka dhënë rekomandimet dhe propozimet në takimin e parë që janë dalë në këshillin e operacioneve zgjedhore dhe ato rekomandime që janë kërkuar i kemi dërguar prapë, dhe arsyet anë qenë se kanë dal në këshill pasi kemi marr një konfirmim nga ministria e pushtetit lokal ku thotë se dje pas përmirësimeve dje janë miratuar statutet e tyre megjithatë ato nuk kanë miratuar vulat dhe stemat komunale prandaj shkresat e tyre nuk përmbajnë këto simbole janë të pranueshme”, tha Peqani, transmeton KP.

Këto i ka kundërshtuar anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi, i cili tha se nuk duhet aprovuar pasi që nuk përmbajnë asnjë simbol të shtetit të Kosovës.

Madje, Rrustemi tha se e-maili i dërguar nga Sekretari i Ministrisë së Ministrisë së Pushtetit Lokal, nuk i obligon aspak që ta ndjekin udhëzimin e tij.

“Nëse ligji mbi simbolet na thotë që çdo shkresë zyrtare duhet ta ketë stemën e Kosovës, ne nuk mund ta pranojmë një shkresë dhe ta procedojmë duke shkelur ligjin, Nëse ata e kanë shkelur ligjin deri këtu, ne këtu po bëhemi pjesë shkeljes së ligjit”, tha Rrustemi.

Por pro ishte anëtari i LDK-së,Florian Dushi, i cili tha se duhet të jenë me fleksibil, pasi shumë çështje për të cilat janë bërë zhurmë në zgjedhjet e vitit 2013, tanimë nuk janë temë në këto zgjedhje.

“Unë mendoj që sikurse procesin elektoral të 2013-ës që kemi bërë zhurmë për mjaftë tema dhe ato në këtë proces zgjedhor tashmë ve q janë të tejkaluara. Edhe në këtë fazë është mirë me qenë më fleksibil dhe me pas mirëkuptim në këtë pjesë të shqyrtimeve që bëhen brenda institucionit tonë. Mund të aprovohen dhe duhet të aprovohen me vërejtje normalisht që do të jepet nga departamenti i zyrës ligjore”, tha Dushi.

Në këtë mbledhje Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi ka njoftuar anëtarët e KQZ-së se janë mbi 5 mijë aplikacioni t ë qytetarëve jashtë vendit që janë interesuar për të marr pjesë në këto zgjedhje.

“Gjithashtu, ju njoftoj se deri sot pasdite kemi pranuar rreth 5 mijë e 800 aplikacione të qytetarëve të interesuar për votim ose për tu regjistruar për votim jashtë Kosovës”, tha Halimi.

Ndërsa, Adnan Rrustemi kërkoi sqarim nga Halimi që aplikacionet që janë pranuar nga Serbia, në çfarë forme kanë arritur. Kurse, Halimi ka thënë se ato kanë ardhur nga OSBE-ja, por në bashkëpunim të plotë me KQZ-në, ashtu sipas marrëveshjes që kanë me këtë organizatë. /Telegrafi/

Etiketa: ,