E enjte, 26 Qershor 2014
Ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte paralajmëruar se të enjten pasdite do të bëjë prezantimin e rezultateve zyrtare për zgjedhjet e 8 qershorit, ato “rrodhën” paraprakisht.
Në interesimin e shumtë të gazetarëve, ditëve të fundit për ditën e shpalljes së rezultateve, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka kishte insistuar se kjo do të bëhet të enjten.
Madje, në një moment të caktuar ajo edhe kishte humbur durimin dhe ishte përgjigjur “rezultatet publikohen të enjten dhe pikë”.
Të enjten kur po pritej prezantimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit nga KQZ, ato kishin marrë dhenë.
Media në Kosovë, atëherë veç kishin publikuar listën e rezultateve të partive dhe deputetëve.
Lidhur me këtë, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka nuk ka dashur të komentojë nëse një “rrjedhje” e rezultateve është në kundërshtim me rregulloren e KQZ-së ose me Ligjet në fuqi.
“Gjithsesi eksluzivitetin e shpalljes dhe publikimit të rezultateve e ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ashtu siç e kërkon edhe ligji. Mos harroni, se i gjithë procesi ka qenë transparent dhe në qendrën e numërimit të rezultateve ka pasur qindra vëzhgues të cilët e kanë vëzhguar tërë procesin e rinumërimit. Ata i kanë pasur rezultatet pothuajse para nesh si anëtarë të KQZ-së”, ka qenë përgjigja e Dakës.
Etiketa: Kosovë, KQZ, Valdete Daka