E mërkurë, 21 Tetor 2026

Sot në orën 13:30, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte.
Sipas aktakuzës së 23 qershorit 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.
Ai gjithashtu akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë-Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim, që kufizohet me fshatin Vitomiricë, kishin hyrë grupet paramilitare të përziera edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake.
Të njëjtit filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile, me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, transmeton IndeksOnline.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, tre civilë që u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë.
Pesë civilë të nacionalitetit shqiptar: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre, prandaj ende figurojnë si të zhdukur.
Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, ndaj Gjokoviqit u zhvillua një hetim i gjatë, që përfundoi me arrestimin e tij më 27 qershor të 2022-tës.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
