Kryeministri serb konfirmon vizitën në Tiranë


E mërkurë, 22 Prill 2015

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, zhvilloi në Bruksel një takim me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç. Takimi mes tyre është zhvilluar para pjesëmarrjes në Samitin e Ballkanit, të organizuar nga Komisioni Evropian. Krerët e dy qeverive kanë folur për bashkëpunimin rajonal, por dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Rama ka vlerësuar se Serbia dhe Shqipëria duhet të shikojnë përpara. Ndërsa kryeministri serb, pasi ka dhënë mbështetjen e tij për projektet rajonale, konfirmoi vizitën në Shqipëri në fund të muajit maj. Gjatë qëndrimit në Bruksel, kreu i qeverisë shqiptare ka zhvilluar takime dhe me homologun kosovar Isa Mustafa, me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, si edhe me kryeministrin e Malit të Zi, Gjukanoviç.

Takimet

Këshilli i Ministrave informoi se, projektet më konkrete për të cilat dy kryeministrat, Rama dhe Vuçic dhanë mbështetjen e tyre të plotë, ishin autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin dhe autostrada Adriatiko- Joniane që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri dhe Greqinë në jug të vendit tonë. Kryeministri Rama theksoi se, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë tejet të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik e social të Ballkanit dhe Evropës në tërësi.

“Serbia dhe Shqipëria duhet të shohin përpara, duke bërë së bashku për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë pas Luftës së Dytë Botërore për Evropën. Është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë se Ballkani ka nevojë për Bashkimin Europian po aq sa BE ka nevojë për Ballkanin”, deklaroi Rama Ndërsa kryeministri Vuçiç shprehu mbështetjen e qeverisë serbe për projektet në fjalë. “Bashkimi Evropian duhet të kuptojë dhe mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja projekteve në fjalë do të nxisin ekonominë e të dy vendeve”, tha ai.

Kryeministri serb konfirmoi vizitën e tij në Shqipëri në fund të muajit maj, ku do të marrë pjesë në konferencën e SECCP-it, që do të zhvillohet në Tiranë. Vuçiç ka deklaruar gjithashtu se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë me Shqipërinë. “Po puno jmë për integrimin tonë në Bashkimin Evropian. Marrëdhëniet e mira, kanë rëndësi vendimtare për rajonin. Ndaj, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Shqipërinë”, u shpreh ai gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Gjatë vizitës së djeshme në Bruksel, kreu i qeverisë shqiptare ka pasur një mëngjes pune me homologun kosovar Isa Mustafa dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi. Në këtë takim është diskutuar për projektet e përbashkëta mes dy vendeve dhe projektet nga të cilat Shqipëria dhe Kosova do të përfitojnë si rezultat i procesit të nisur në Berlin nën udhëheqjen e kancelares gjermane, Angela Merkel. Më pas, shefi i qeverisë shqiptare ka takuar kryeministrin e Malit të Zi, Gjukanoviç, me të cilin ka diskutuar rreth projektit të autostradës Adriatiko- Joniane, projekt që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Greqinë. Dy kryeministrat diskutuan edhe mbi projekte të përbashkëta në fushën e turizmit, sidomos në zonën e liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna.

Samiti

Komisionari i Bashkimit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johanes Hahn, tha dje në Bruksel se, kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë marrë vesh për bërthamën e rrjetit të transportit në rajon. Ata janë pajtuar, që deri në takimin e radhës të saktësohen projektet për lidhjet rrugore dhe energjetike. Ai i bëri këto komente në përfundim të Samitit për Ballkanit që zhvilloi punimet në Bruksel, ku morën pjesë kryeministrat nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Komisioneri Hahn tha se, Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndajë 130 milion euro nga paratë e para-anëtarësimit deri në fund të këtij viti, një shifër që do të jetë e shumëfishtë gjatë viteve në vazhdim. Ndërsa komisionerja evropiane për Transportin, Violeta Bulc, tha se deri në vitin 2030, rrjeti i transportit në Ballkanin Perëndimor do të jetë tërësisht i integruar në rrjetin e transportit të Bashkimit Evropian. BE ka ofruar një miliard euro për të mbështetur projektet që synojnë përmirësimin e infrastrukturës së rajonit, vendet e të cilit mund të përfitojnë nga fondet evropiane, nëse zhvillojnë projekte të përbashkëta.

Etiketa: , , ,