KS me rezolutë që obligon vendet të luftojnë xhihadistët


E enjte, 25 Shtator 2014

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutë me të cilën vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara obligohen t’ua ndalojnë qytetarëve të tyre të mbështesin organizatat radikale.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në një takim nën udhëheqjen e presidentit të SHBA, Barack Obama dhe me pjesëmarrje të 15 udhëheqësve të shteteve anëtare ka miratuar mbrëmë njëzëri një rezolutë me të cilën vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara obligohen t’ua ndalojnë qytetarëve të tyre të mbështesin organizatat radikale dhe grupin e Shtetit Islamik ose ISIS.

Rezoluta u miratua me 15 vota për dhe asnjë kundër, teksti i së cilës kërkon nga vendet që të cilësojnë të paligjshme dhe krim shkuarjen e qytetarëve të tyre jashtë vendit me qëllim të bashkimit në lëvizjet e dhunshme ekstremiste dhe xhihadiste apo rekrutimin e luftëtarëve për këtë qëllim.

Shpallet krim shkuarja dhe rekrutimi për luftën në Siri

Pas miratimit të rezolutës, presidenti Obama kërkoi që nga fjalët të kalohej në vepra. Ai tha se ‘një retorikë qoftë me qëllimet më të mira nuk do të mund të ndal as edhe një sulm të vetëm terrorist.’”Fjalët që u thanë sot këtu duhet të kthehen në veprime, në vepra, në aksione konkrete, brenda vetë vendeve dhe në mes tyre, jo vetëm në ditët por edhe në vitet që do të vijnë,” tha presidenti amerikan. Shumica e burrshtetasve të vendeve anëtare në këtë takim mbështetën komentet e presidentit Obama, sidomos përfaqësuesit e vendeve arabe, të cilat i janë bashkuar koalicionit ushtarak që këtë javë ka filluar sulmet kundër pjesëtarëve të shtetit islamik në Siri dhe Irak.

DASH: Lavdrim Muhaxheri në listën e terroristëve

Poashtu dje pasdite, Departmenti Amerikan i Shtetit përmes një urdhri ekzekutiv, ka nxjerrë një listë prej 10 individësh si dhe dy organizata të cilët i cilëson si terroristë, në mesin e tyre edhe kaçanikasin famëkeq, Lavdrim Muhaxheri, për të cilin thuhet se është shqiptar nga Kosova si luftëtar i huaj i ISIS-it që operon në Siri dhe në Irak. Dy organizatat që u shpallën terroriste, e që poashtu operojnë në Siri janë njëra e krijuar nga çeçenet dhe një tjetër nga marokenët.

Etiketa: , , ,