Kthimi i “Nipah”, çfarë dihet për virusin vdekjeprurës që po trondit Azinë


Pazar, Şubat 1st 2026
Kthimi i “Nipah”, çfarë dihet për virusin vdekjeprurës që po trondit Azinë

Azia juglindore së fundmi po përballet me rikthimin e virusit të njohur si “Nipah”, pasojat e së cilës përfundojnë deri në vdekjen e personave të prekur.

Për këtë temë është diskutuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ku mjekja Aurora Dollenberg, ka sqaruar se çfarë është ky virus, si merret, origjina e saj dhe niveli i rrezikut të saj.

Fillimisht mjekja shprehet se ky virus përbën rrezik të lartë pasi bazuar nga shifrat e mëparshme, vdekshmëria shkon deri në 75%.

“Vetë shifrat dhe statistikat që kemi pasur nga dekadat e kaluara kur Nipas është shfaqur, tregojnë se vdekshmëria shkon në 75% nëse infektohemi nga ky virus. Prandaj dhe alarmi është kaq i madh i dhënë dhe nga OBSH-ja, e cila tanimë nuk pret të kemi shumë raste në Evropë për të bërë karantizimin nacional të atyre vendeve. Mjaftojnë vetëm dy raste me Nipah në një vend të caktuar, që detyron atë shtet të marrë masa”, sqaron Dollenberg.

Lajmi i mirë është se në Evropë deri më tani nuk raportohet për asnjë të infektuar, por kjo nuk do të thotë se nuk ekziston mundësia për t’u prekur nga ky virus.

Një thirrje pati për të gjithë konsumatorët shqiptarë të tregojnë kujdes me ushqimin, sidomos ato që e kanë prejardhjen nga Azia, pasi ekziston mundësia e kontaminimit të këtij virusi.

“Ekziston rreziku. Jo vetëm pasagjerët, por edhe ushqimet sepse duhet të theksojmë, mbase dhe për amvisat shqiptare që na ndjekin, q ëtë kemi shumë kujdes te ushqimet që mund ta kenë vendin e origjinës Indi. Sidomos frutat janë ato kryesoret, sepse dimë që frutat, ato ekzotike sidomos indiane, mund të kenë kontakt qoftë me lakuriqin e natës ose me derrin, që janë burimi kryesor i virusit të Nipahit”, sqaron ajo.

Kujtojmë se Ministria indiane e Shëndetësisë ka konfirmuar dy raste që prej dhjetorit, duke theksuar se virusi është “përmbajtur në kohë”. Sipas autoriteteve, rreth 200 persona që kanë pasur kontakte të ngushta me të infektuarit janë testuar dhe nuk janë zbuluar raste të tjera. Qeveria nuk ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të pacientëve.


Burimi: mesazhi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit