Kthimin nga Lindja nuk do ta lejonin shqiptarët


E premte, 30 Maj 2014

Shkup – Në Maqedoni ka pasur vazhdimisht zëra që kanë kërkuar që vendi të mos e lejojë veten që të bëhet si “lypës” i përbuzur që troket në dyert e Evropës, por si kundërbalancë të shikohet edhe nga vendet e Lindjes, kryesisht kah Rusia, Kina dhe India.

Zhgënjimi nga ngecja e procesit të integrimeve evropiane, i ka bërë gjithnjë e më të zëshëm këta zëra nga komuniteti maqedonas. Por, analisti politik Albert Musliu thekson se është gati se e pamundur që Maqedonia ta harrojë krejtësisht Evropën dhe të kthehet nga Azia, sepse komuniteti shqiptar nuk do ta lejonte një gjë të tillë.

“Kjo mund të jetë vetën në suaza teorike, Në praktikë është më se e pamundshme. Nuk ka modus. Edhe nëse do të donte elita politike një gjë të tillë, e që nuk do, një gjë të tillë nuk do të mund ta kalonte te elektorati i vet.

Shqiptarët janë të lidhur shumë me Evropën. Edhe dy shtetet tjera, Shqipëria dhe Kosova, kanë qartësisht orientim strategjik kah Evropa”, ka thanë Musliu, për “Zhurnal”.

Sipas tij, për shqiptarët është e papranueshme që Maqedonia në këtë format që ka të orientohet nga Lindja, si balancë ndaj procesit të integrimeve evropiane.

Ndërkohë, problemi me emrin mund menjëherë të zgjidhet, posaçërisht tani kur Greqia është aq e varur nga Unioni, ka vlerësuar Kas Mjude, i cili ligjëron në Shkollën për marrëdhënie publike dhe ndërkombëtare në universitetin amerikan në Xhorxhi.

Sipas tij, në kohë kur BE është e dobësuar ekonomikisht dhe politikisht, me elitë proeuropiane, që nuk ka vizion ideologjik të qartë, nuk ka as perspektivë për thellim e as për zgjerim të BE-së.

Por, siç thotë, vendet kandidate do të duhet të kuptojnë nëse edhe ndonjëherë hyjnë në familjen evropiane, ajo asnjëherë nuk do të jetë e njëjta për të cilën kanë ëndërruar para shumë viteve.

Për çështjen e orientimit të vendit ka reaguar edhe Partia e Re Socialdemokrate (PRSD), që udhëhiqet nga Tito Petkovski. “Nëse Gruevski është i bindur se punon për Agjendën evropiane, aspak nuk duhet të shikojë se ç’bën opozita.

Por, ai mirë e di se politika e tij dhe e Qeverisë së tij nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat evropiane”, ka vlerësuar PRSD-ja. (A.F.)/zhurnal/

Të fundit