Ku fshihen insektet në dimër?


E shtunë, 31 Janar 2026
Ku fshihen insektet në dimër?

Sapo vijnë ditët e ftohta, bota e insekteve duket se hesht plotësisht. Nuk ka më gumëzhitje mizash, pickime mushkonjash apo flutura që rrethojnë dritat e natës. Por, ky qetësim nuk do të thotë se ato janë zhdukur përfundimisht nga faqja e dheut.

Në fakt, insektet kanë zhvilluar disa nga strategjitë më magjepsëse të mbijetesës në planet për t’i bërë ballë provës së tyre më të vështirë që është mbijetesa ndaj ngricave. Si qenie ektoterme, insektet nuk kanë mundësi ta rregullojnë temperaturën e trupit nga brenda siç bëjmë ne njerëzit apo gjitarët e tjerë.

Për të parandaluar kthimin e tyre në kristale akulli, shumë prej tyre prodhojnë substanca kimike të specializuara si gliceroli dhe poliolet. Këto lëndë veprojnë si një antifriz i vërtetë natyror duke ulur pikën e ngrirjes së lëngjeve të trupit dhe duke i mbrojtur qelizat nga dëmtimet vdekjeprurëse.

Larva e fluturës arktike, mbetet një kampionet e vërtetë e kësaj teknike pasi ajo arrin të mbijetojë edhe kur temperaturat jashtë shënojnë minus 70 gradë celsius. Ndryshe nga gjumi dimëror që njohim te kafshët e mëdha, shumë insekte hyjnë në një gjendje të quajtur diapauzë.

Ky është një pezullim biologjik i programuar që nuk fillon kur vjen i ftohti, por shumë më herët. Insektet arrijnë ta parashikojnë dimrin përmes shkurtimit të orëve të ditës, gjë që shërben si sinjali më i saktë për të ndaluar rritjen dhe për të ulur metabolizmin në nivele minimale.

Gjatë kësaj kohe ato duken pothuajse të vdekura për syrin e njeriut, por në të vërtetë po kursejnë çdo miligram energjie deri në ardhjen e pranverës. Sigurisht, jo të gjitha llojet zgjedhin të njëjtën rrugë për të mbijetuar.

Për shembull, bletët e mjaltit nuk flenë fare gjatë dimrit. Ato mblidhen në një lëmsh të madh rreth mbretëreshës dhe dridhin vazhdimisht muskujt e krahëve për të prodhuar nxehtësi, duke e mbajtur të ngrohtë brendësinë e kosheres.

Milingonat preferojnë të zbresin thellë në galeritë e tyre nën tokë, ku nuk depërton dot i ftohti i sipërfaqes. Ndërkohë, fluturat monarke zgjedhin një rrugë krejt tjetër duke ndërmarrë udhëtime epike migruese prej 4.000 kilometrash drejt vendeve më të ngrohta.

Një fakt interesant dhe pak i njohur, është se dimrat e butë janë paradoksalisht më të rrezikshëm për insektet sesa dimrat e ashpër. Nëse temperaturat rriten papritur, metabolizmi i tyre zgjohet dhe ato fillojnë të konsumojnë shumë shpejt rezervat e yndyrës.

Ky zgjim i rremë, bën që ato të mbeten pa energji përpara se të dalin lulet e para, duke shkaktuar shpesh vdekjen e tyre nga uria. Pra, herën tjetër që do të shihni një bletë apo një flutur në pranverën e parë, kujtoni se ajo sapo ka fituar një betejë të vërtetë kundër ligjeve të fizikës./tesheshi. com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit