Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Ku mbeti premtimi i Xhaferit që 3 ditë pas referendumit do të shpallë ligjin për gjuhët në gazetën zyrtare?!

Prizren Post | 15:07 - 02.11.2018

SHKUP – Ligji i përdorimit të gjuhëve vazhdon të mbetet një temë aktuale në Maqedoni, por që nuk dihet se kur dhe në çfarë mënyre do të shpallet në Gazetën Zyrtare, që të vazhdojë të zbatohet nga institucionet e venditm, shkruan Zhurnal.

Ligji për përdorimin e gjuhëve mbetet pezull. Presidenti Gjorge Ivanov nuk lëvizë nga qëndrimi për mos ta firmosur të njëjtin, ndërsa as kreu i Kuvendit Talat Xhaferi nuk ka mbledh forcat që këtë ligj ta shpallë në Gazetën Zyrtare pa dekretin e presidentit. Xhaferi para disa ditëve tha se nuk është i kushtëzuar në aspekt kohor dhe se Ligji për gjuhët do të hyjë në fuqi kur ai ta sheh të arsyeshme.

“Unë ju kam thënë që unë nuk vuaj nga afatet për faktin që nuk jam i ngushtuar nga afatet dhe është çështje e vlerësimit tim se kur është momenti për me e nënshkruar dhe me dërguar ligjin për gjuhët së bashku me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë në Gazetën zyrtare. Kështu që nuk ka të bëje me spekulime. Unë jam bartës i institucionit i përgjithshëm dhe i ndërgjegjshëm edhe për situata por edhe për nevojat, kështu që nuk jam i përkufizuar, pra kjo është lehtësia që nuk jam i përkufizuar për këtë çështje”, theksoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Kujtjomë se edhe gjatë fushatës së referendumit kryeparlamentari Talat Xhaferi pati paralajmëruar se menjëherë pas 30 shtatorit, ligji për përdorimin e gjuhëve do të dërgohet për shpallje në gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë, por tanimë u bën një muaj që kur kaloi referendumi, ndërsa ligji për gjuhën shqipe ende nuk është shpallë në gazetën zyrtare, gjegjësisht ligji në fjalë ende po qëndron nëpër sirtaret e Kuvendit të Maqedonisë.

Duke folur për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu Agency pati theksuar se ligji mund t’i adresohet Gazetës Zyrtare edhe pa nënshkrimin e kreut të shtetit, në këtë rast pa nënshkrimin e presidentit Ivanov.

Siç thekson Xhaferi, Kushtetuta e vendit sanksionon mundësinë që kreu i shtetit për projektligje të caktuara, që votohen në Parlament, të ketë të drejtën e vetos për çështje të caktuara, por sipas tij, ajo nuk nënkupton që presidenti të ketë veto absolute.

Apele që kryeparlamentari Xhaferi të shpallë ligjin për përdorimin e gjuhëve në gazetën zyrtare, ka pasur edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët. Nga kjo parti kanë apeluar Xhaferin që të bëhet i lirë, dhe të shpalle ne gazetën zyrtare ligjin e Gjuhës Shqipe dhe të u jep shembuj bashkëpartiakëve të tij të skllavëruar.

“Zoti Xhaferi e keni vështirë të largoheni nga logjika e skllavit. Gjatë kohe siç duket partia dhe lideri juaj e ka luajtur këtë rrol dhe vazhdoni ta luani sa që jeni mishëruar tanimë. E vërteta është se subjekti juaj politik e ka vonuar sjelljen e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe për 16 vite gjithmonë duke u sjellur si skllevër nga frika e ndëshkimit nga padroni. Tani më që ligji për gjuhen shqipe është votuar dy here radhazi po numërojmë muajt e mos shpalljes në gazetën zyrtare të së njëjtës, pikërisht nga frika e mosndëshkimit nga padroni”, kishin theksuar kohë më parë nga Aleanca për Shqiptarët.


Etiketa:
Arivisti Company