Ku po përfundojnë miliardat e derdhura në Kosovë?


E diel, 15 Mars 2015

Televizioni i parë publik gjerman (ARD) ka shfaqur më 12 mars një emision, në të cilin një pjesë ia kushton Kosovës, në dritën e eksodit të muajve të fundit. Në Kosovë Perëndimi ka derdhur miliarda, por efekti i tyre është i vogël ose inekzistent. Ku kanë shkuar këto mjete, është pyetja që shtron ky medium?, transmeton albinfo.

Gazetarët e emisionit “Kontraste” kanë bërë përpjekje për të gjetur përgjigjen për këtë dhe pyetje tjera shqetësuese nga realiteti kosovar. Ata kanë ballafaquar gazetarë dhe zëra të tjerë kritikë, kosovarë dhe ndërkombëtarë, me përfaqësues të institucioneve si Eulex-i, GIZ-i gjerman etj. lidhur me perceptimin se paratë ndërkombëtare që derdhen në Kosovë nuk e arrijnë destinimin e tyre.

Shpesh organizatat e ndryshme ndërkombëtare, përfshirë edhe atë gjermane për kooperim dhe zhvillim (GIZ) ndajnë mjete, fatin e të cilave nuk e ndjekin më tutje. Atyre u mjaftojnë raportet ose dokumentet që flasin për “suksesin” e projekteve, pa shikuar efektin konkret të tyre në terren ku gjendja mbetet po aq e mjerueshme sa ishte më parë.

Emisioni vendos në fokus edhe institucionet kosovare që kujdesen kryesisht për luksin e ndërtesave dhe makinave të tyre dhe fare pak për të përmirësuar standardin e qytetarëve.

Etiketa: