Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kukësi, simbol i mikpritjes: 17 vjet nga eksodi i kosovarëve

Prizren Post | 15:05 - 10.04.2016

Kukës – Bashkia e Kukësit, në nder të 17 vjetorit të eksodit të madh të kosovarëve dhe mikpritjes që ky qytet u ka bërë qytetarëve të Kosovës, do të organizojë manifestime që do të zhvillohen në Kukës në datat 15 dhe 16 prill 2016.

Pjesë e këtij programi do të jetë ekspozita fotografike, e cila do të hapet në orën 11:00 të datës 15 prill.

Më pas, në po të njëjtën ditë, në orën 18.00 do të jepet shfaqja e monodramës “Apologjia e Sokratit” nga aktori i shquar “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi, në sallën e Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina”, raporton Koha.net.

Po atë ditë do të bëhet edhe inaugurimi i memorialit të eksodit 1999 kushtuar eksodit masiv të shqiptarëve në Mitrovicë.

Ndërkaq, në orën 20.00 do të organizohen manifestime në Xërxë të Kosovës, komuna e Rahovecit, dhe vetëm 30 minuta më pas do të bëhet organizimi i ndezjes së zjarreve në kodrat përreth Kukësit, Prizrenit, Mitrovicës, Xërxës, Gjakovës, Deçanit, Junikut, Suharekës, Opojës, etj, në përkujtim të dëshmorëve, martirëve dhe viktimave të dhunës së ushtrisë e policisë serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Më datën 16 prill, qysh në orën 9:00 të mëngjesit do të zhvillohet një konferencë jubilare dhe shkencore në qytetin e Kukësit. Në të do të flet Wolfgang Grossruck, President i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore.

Më tej, do të zhvillohen veprimtari kulturore gjatë ditës në rrugët dhe sheshin e qytetit të Kukësit.

Në orën 11.00 do të bëhet hapja e panairit agro-ushqimor dhe kulinarisë në sheshin “Skëndërbeu” të Kukësit.

Më tej, në orën, 12.00, Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu, do të organizojë pritje për personalitet e ftuara në manifestim.

Në orën 13.00 mbahet koncert i shoqëruar me përshëndetjet e personaliteteve shtetërore të ftuar në sheshin “Skënderbeu”. Moderator do të jetë aktori i mirënjohur “Nderi i Kombit”, Mirush Kabashi.

Dhe në fund, në orën 15.30, do të ketë një drekë për të ftuarit.


Etiketa:
Arivisti Company