Kurti: Jashari e Qosja s’janë kandidatë për President


E hënë, 25 Janar 2016

Albin Kurti i Vetëvendosjes ka mohuar që Murat Jasharit dhe Rexhep e Qosjes t’u jetë bërë një ofertë zyrtare për të kandiduar për president të ardhshëm të Kosovës.

RTK

​Deputeti i parë që hodhi gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për të kundërshtuar dy marrëveshjet e arritura mes Qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe Malin e Zi, Albin Kurti i Vetëvendosjes, ndër tjerash, flet edhe për synimet e të parit të PDK-së, Hashim Thaçi, që të bëhet president i Republikës së Kosovës, si dhe për Murat Jasharin dhe Rexhep Qosjen si kandidatë të mundshëm që mund të propozohen nga tri partitë opozitare.

Duke mohuar që Jasharit e Qosjes t’u jetë bërë një ofertë zyrtare për të kandiduar për president, në një intervistë dhënë KosovaPress-it, që të plotë e transmetojmë nesër, Kurti tha se Thaçi, pas debaklit që ka pësuar si timonier i politikës së jashtme, nuk ka kredibilitet e as që përfaqëson unitet të qytetarëve si president.

Madje, Kurti tha se kandidatura e Thaçit nuk është rezultat i nevojës së Kosovës, por më shumë është brengë e tij që të mos mbetet i papunë dhe të rehatohet diku në institucione.

Sipas Kurtit, në një situatë të tillë politike, nuk mund të flitet për numra në Kuvendin e Kosovës. Ai Thaçin e vlerëson si politikan “superpartiak” dhe “ultraklanor”, siç tha ai, në kuptimin financiar të fjalës.

“Nuk mund të flitet për numra në Kuvendin e Kosovës. Ai mund t’i ketë numrat në tavan. Dua të theksoj sërish se ai nuk është njeri i unitetit të popullit. Ai është njeri superpartiak. Ai është person ultraklanor në kuptimin financiar e jo politik të fjalës, sepse s’ka politikë aty. Besoj që qytetarët e mbajnë mend mirë gjysmën e dytë të vitit 2014 kur kishte unitet kundër Thaçit. Dhe, një person për të cilin ka pasur unitet kundër tij, nuk mund të na shndërrohet në personifikim të unitetit popullor. Thaçi nuk e ka as guximin, as dijen, as vullnetin për progres në Kosovë. Po ashtu, ai shënoi një vit të debaklit në politikën e jashtme, si zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të jashtme. Dështoi me UNESCO-n, dështoi me liberalizimin e vizave, na i solli vetëm dy njohje dhe përveç kësaj e partizoi edhe më shumë shërbimin e jashtëm të Kosovës”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, Thaçi po synon të bëhet president në mënyrë që të mos mbetet i papunë, dhe jo pse kjo është nevojë e Kosovës

“Kandidatura e Thaçit nuk është rezultat i nevojës së Kosovës, por më shumë i brengës së tij për t’u rehatuar diku në institucione. Pra, Thaçi po synon të bëhet president që të mos mbetet i papunë”, tha ai.

Sa i përket mundësisë që opozita ta prezantojë si kundërkandidat të Thaçit, Murat Jasharin, djalin e komandantit legjendar Adem Jashari, Kurti theksoi se një ofertë e tillë nuk i është bërë atij nga ana e Vetëvendosjes dhe opozitës. Ai tha se për t’u bërënjë gjë e tillë, është në përgjegjësinë dhe autoritetin e liderëve të opozitës.

“Nuk i kemi bërë një ftesë të tillë. E dini se jam deputet i Kuvendit të Republikës. Nuk jam as anëtar i Kryesisë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kemi shumë respekt për familjen Jashari. Mendojmë se jo vetëm tek Kosova e shqiptarët, por është vështirë të gjesh edhe te popujt e tjerë përgjatë historisë njerëzore një sakrificë e vetëmohim të tillë. I takon Visar Ymerit, kryesisë dhe liderëve të opozitës së bashkuar që ta thonë fjalën e tyre për këtë gjë”, vazhdoi tutje ai.

Përgjigje të njëjtë, Kurti dha edhe për raportimet lidhur me mundësinë që opozita ta kandidojë akademikun Rexhep Qosja për postin e presidentit. Duke vlerësuar se nuk është momenti për të zgjedhur presidentin e vendit për shkak t ë situatës së jashtëzakonshme, Kurti tha se kjo i takon organeve të subjekteve opozitare për ta diskutuar.

“Përgjigja ime është e njëjtë. Nuk e di nëse këtë temë e kanë diskutuar në opozitën e bashkuar dhe i takon organeve të subjekteve ta thonë fjalën e tyre. Tash për tash, për ne gjëja me e rëndësishme është që të shkojë kjo Qeveri dhe nuk besojmë në parim se janë kushtet për emra rivalësh sepse opozita e bashkuar e ka thënë se në këto kushte të jashtëzakonshme kur e kemi shtetin e kapur e Qeverinë e korruptuar… nuk mendoj se ky është komoditeti që ne të zgjedhim presidentin”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Kurti nuk e mohoi mundësinë që opozita e bashkuar në zgjedhjet e ardhshme të garojë në një listë të përbashkët zgjedhore. “Është e mundshme n jë gjë e tillë”, tha ai, duke shtuar se për një gjë të tillë ende nuk është hapur debati përmbajtësor pasi fokusi është në përgatitjet për protestën e ardhshme, të paralajmëruar për 17 shkurt.

Etiketa: ,
Të fundit