E mërkurë, 31 Dhjetor 2014
Prishtinë – Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se viti 2014 do të mbahet mend për votimin e turpshëm nga Kuvendi i Kosovës për Gjykatën Speciale për Krime të Luftës, kurse si proces migrimet e vazhdueshme e qytetarëve nga vendi i tyre.
Në një intervistë për “Epokën e re”, Kurti ka deklaruar se pushteti në Kosovë gjatë vitit që po e lëmë pas ishte gjeneroz ndaj kërkesave të Serbisë, kurse moskokëçarës ndaj nevojave bazike të qytetarëve.
Ai ka thënë se këtë gjenerozitet ndaj Serbisë do ta vazhdojë edhe koalicioni PDK-LDK.
Kurti ka thënë se nuk u beson premtimeve të qeverisë Mustafa, përpos atyre që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë, përgatitjen e infrastrukturës ligjore për Gjykatën Speciale dhe formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në këtë kontekst, Kurti ka vlerësuar se koalicioni PDK-LDK do të jetë i dobishëm vetëm për rrethin e ngushtë klanor të Thaçit dhe Mustafës.
Ai ka deklaruar se ky koalicion është i gatuar për ta vendosur diktaturën e numrave në Kuvend.
Kurti ka thënë se është paksa paradoksale, por kjo qeveri është më antipopullorja që ka pasur Kosova.
“ Megjithëse është paradoksale, tashmë jam i bindur se kjo qeveri e koalicionit të madh, është qeveria me anti-popullore që ka pasur Kosova se paku nga viti 1999. Jo thjesht sepse veprimet e tyre qeverisëse do të rezultojnë kështu, por sepse kështu është edhe sa i përket mbështetës popullore”, ka thënë Kurti.
Ai është shprehur i bindur se koalicioni VLAN do të ishte më i miri për Kosovën./Tribuna/
Etiketa: Albin Kurti, LDK, PDK, Vetëvendosje