Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kurti: Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës

Prizren Post | 19:53 - 19.05.2020

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

PRISHTINË – Kryeministri Albin Kurti pak më parë përmes një shkrimi në rrjetin social facebook bëri të ditur për presionin dhe kërcënimet që po i bëhen atij dhe Gjykatës Kushtetuese nga regjimi i vjetër.

Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexha. Nuk ka shpjegim tjetër.

Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata.

Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin.

Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë.

Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Pyetjet e njëanshme që thuhet se janë bërë nga Gjykata Kushtetuese në Forumin e Venedikut shpresojmë se janë lajm i rremë. Ndërkaq, ‘dokumentet’ në 3800 faqe nga koha e shkrimit të Kushtetutës, të humbura për vitin 2014 e të ‘gjetura’ tani, e kanë pasur afatin e skadencës porsi regjimi i vjetër – 6 tetor 2019!

Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës.


Etiketa:

Bëni një koment