E martë, 19 Korrik 2022
PRISHTINË – Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Përmes një shkrimi në Twitter, Kurti ka thënë se Kosova feston arritjet historike dhe bashkohet me angazhimin të Shqipërisë drejt reformave.
“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Kosova feston arritjet tuaja historike dhe bashkohet me angazhimin tuaj drejt reformave që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin dhe Evropën tonë”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ka theksuar se edhe pse pak kohë më parë ishte e vështirë të mendohej se zhbllokimi i procesit të anëtarësimit do të ndodhte, Shqipërisë nuk i ka shkuar kurrë në mendje të heq dorë.
Ai ka shtuar se në Shqipëri si rrallëherë ka dakordësi të plotë për të ardhmen evropiane të vendit.
Etiketa: Albin Kurti, Bashkimi Europian, Maqedonia Veriore, negociatat, Shqipëria