“Kushti” i radhës për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi


E mërkurë, 30 Shtator 2020

BRUKSEL – Vazhdimi i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të prolongohet për shkak të qëndrimeve të kundërta të Kosovës dhe Serbisë, rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vlerësojnë nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe nga Platforma CiviKos.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Derisa Kosova thotë se çështja e Asociacionit është çështje e mbyllur, edhe pse ende nuk është formuar, Serbia insiston që për këtë çështje duhet të diskutohet sërish. Madje, në takimin e fundit të Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh në Bruksel, Beogradi e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me këtë çështje. Edhe BE-ja këmbëngulë që Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale, gjithëpërfshirëse.

Të mërkurën, Bashkimi Evropian ka sqaruar se qëndrimi i saj mbetet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet dhe se në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Etiketa: , , ,