Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kuvend, përplasje e ashpër Berisha-Rama

Prizren Post | 14:07 - 31.10.2013

Kryeministri i vendit dhe ish-kryeministri kanë debatuar ashpër në sallën e Kuvendit lidhur me aksionin për mbylljen e sallave të paligjshme të lojërave të fatit.

Sali Berisha fillimisht akuzoi ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin se, po i ndërmarrin këto veprime për krijimin e monopolit në bixhoz.

Përgjigjja e Edi Ramës ishte se, aksioni ka të bëjë me paligjshmërinë e aktivitetit të tyre dhe akuzoi ish-Kryeministrin për lidhje të ngushta me këtë veprimtari. Rama theksoi se një aktivitet i tillë i krimit ekonomik i këtyre përmasave, mund të mbulohej vetëm me dijeninë e ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit.

“Është për të ardhur keq kur flitet për një aksion të policisë, ndaj një aktiviteti haptazi kriminal. Nuk ka një raport të vetëm nga cili do qoftë nga zinxhiri i krimit ekonomik. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ku aktivitet politik ka mbulimin e Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Askush tjetër nuk mund ta garantojnë një aktivitet të tillë. Është logjika më elementare”, u shpreh Rama.

“Ky aktivitet nuk ka nevojë për zbulim dhe as për kundërzbulim, por vetëm për dy palë sy, të ministrit të Brendshëm dhe të Kryeministrit. Sikur i gjithë zinxhiri i krimit ekonomik të jetë i korruptuar, e kana të pamundur ta mbulojnë. Pa mbështetjen e ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit personalisht se as ministri i Brendshëm nuk e mbulon dot vetëm”, shtoi Kryeministri.

Nga ana tjetër, Rama paralajmëroi se aksioni ndaj aktivitetit kriminal në lojërat e fatit është vetëm aksioni i parë kundër monopoleve të krijuara nga njerëz të lidhur me pushtetin dhe kryesisht me njerëz të afërt apo personalisht me Berishën.

“Jam shumë mirëkuptues që sjellin këtë klithje, janë dhimbje që sapo kanë filluar. Lufta ndaj krimit ekonomik do të jetë i pashpirt dhe ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj lufte, me çdo çmim. Kush është ngatërruar me ato zorrë, sigurisht që do të ketë dhimbje barku. Qendra e këtij barku është këtu në parlament”, u shpreh ai. “Në këtë Republikë do të respektohet cilido që respekton ligjin. Mbulime politike për ruleta, fluturime, pasuri të nëntokës, nuk ka më.”

Ish-kryeministri, Sali Berisha reagoi duke deklaruar se, nuk është marrë asnjë veprim ndaj personave që ushtronin aktivitetet të krimit ekonomik, tha se kjo tregon se, kemi të bëjmë me një operacion të montuar.

“Aksioni kishte një qëllim. Ti’ hapte fushën vëllaçkos për hakmarrje me drejtësinë, që po fut me shpejtësi qindra makina të lojërave të fatit në Shqipëri. Cilin keni nis në prokurori nga ky aksion? Ju flisni për krim monstruoz pa krime. Ju jeni qesharakë të pabesueshëm”, u shpreh Berisha.

Ish-Kryeministri nënvizoi se, qëllimi tjetër i aksionit ishte shkrirja e policisë kriminale, pasi kjo polici ka dosjet e lidhjeve të Ramës me krimin.

“E bëre për të shkrirë policinë kriminale që kishte dosjen tënde për lidhjet me bandat. Është montuar një operacion pa asnjë kriminel. Ça bëhet kështu, ky është shteti i dordolecit. Çfarë mendoni ju se janë hunj të kuq shqiptarët”, deklaroi Berisha. Shekulli


Arivisti Company