Kuvendi e miratoi ligjin për veteranët e UÇK-së


E shtunë, 31 Dhjetor 2016

Prishtinë – Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë seancës së jashtëzakonshme, sonte kanë miratuar shqyrtimin e dytë të Projektligjit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në votimin e parë për Projektligjin me ndryshime, pro kanë votuar 45 deputetë, 6 ishin kundër, ndërsa 7 abstenuan, për çka u deshtë të votohet sërish, pasi në votim morën pjesë 58 deputetë. Në votimin e dytë, ku në sallë ishin 68 deputetë, 44 deputetë votuan për, 8 ishin kundër dhe 11 abstenuan, raporton KosovaPress.

Pasi paraprakisht kaluan nëpër votim të gjitha amendamentet e propozuara nga deputetët, i pakënaqur me rrjedhën e votimit, deputeti i LDK-së, Anton Quni kërkoi që të rikthehet për miratim amendamenti 7, ku parashihet futja në Ligj e punës dhe aktivitetit luftarak të ish Ministrisë së Mbrojtjes.

“E lus kryeministrin tim, i cili në kohë lufte ka qenë homolog me ministrin e Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi, që të deklarohet për këtë”, tha ai.

Deputeti Rrustem Berisha nga AAK, kërkoi të mos behet përçarje mes veteranëve. “Enkas kam ardhur për ta përkrahur amendamentin e Anton Qunit, pasi unë kam qenë komandant i betejës së Koshares, kjo formë si po e votoni ka me përça faktorin ushtarak”.

Kurse, kryeministri Isa Mustafa theksoi se qasja e ndryshimit të këtij ligji ka qenë kërkesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kërkoi që në një të ardhme të afërt të ulën dhe ta ndryshojnë ligjin aty ku ka nevojë.

Por një pjesë e deputetëve të LDK-së të pakënaqur që nuk u përfshi në Ligj propozimi i Qunit, nuk morën pjesë farë ne votim, duke dështuar votimin e këtij projektligji. U deshtë deklarimi i shefave të grupeve parlamentare që të ketë një votim të dytë, ku pas këtij votimi Projektligji kaloi.

Ndryshe, në shqyrtimin e parë të ndryshimeve të Projektligjit për veteranët e luftës së UÇK-së, që po ashtu është mbajtur sot, kanë votuar 52 deputetë.

Seanca e shqyrtimit të parë u përshkua me debate të ashpra mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, por e veçanta e kësaj seance ishte debati i ashpër mes deputetes së Vetëvendosjes, Aida Dërguti dhe përfaqësuesve të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së që ishin në cilësinë e mysafirëve.

Me këtë seancë përfundoi punët sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës, kurse sesioni pranveror fillon punimet në javën e tretë të muajt janar.

Etiketa: , ,

Leave a Reply