Kuvendi i Kosovës sot debatoi për veriun dhe raportet me aleatët


E premte, 2 Qershor 2023

PRISHTINË – Në Kuvendin e Kosovës sot po debatohet për veriun e vendit, ku kryeministri Albin Kurti është ftuar nga Kryesia e Kuvendit të deklarohet për situatën e krijuar dhe për raportet e lëkundura me SHBA-në.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij para deputetëve tha se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës u shoqëruan me forca të sigurisë për shkak se është dashur të sigurohet hyrja e tyre në objekte komunale pa pengesa.

Ai theksoi se ky nuk ishte vendim politik.

“Në këtë pikë më duhet të theksoj se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forca të sigurisë është vlerësim i institucioneve të sigurisë që vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë, pra nuk është vendim politik, por unë si kryeministër e mbështes këtë – edhe atëherë, edhe sot”, deklaroi Kurti. Ai shtoi se e mbështet këtë vendim pasi që incidentet në ditët në vijim e dëshmuan se kishte rrezik për sulme nga “banda kriminale”.

Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Mes tjerash, kryeministri tha se këto protesta nuk janë vullnet i serbëve që jetojnë në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi zyrtar.

“Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në grumbullimet para objekteve, janë pjesë e bandave kriminale, por janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore”, tha Kurti gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Kurti gjithashtu tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është penduar që i ka thënë po Marrëveshjes së Brukselit sepse “e di që është e mirë për Kosovën dhe refuzon ta nënshkruajë”.

Ai e quajti situatën në veri “të tensionuar dhe të rrezikshme”, por tha se nuk mund të kontribuojë në krijimin e strukturave paralele në veri sepse “nëse objektet komunale nuk janë për kryetarë, atëherë për kë janë?!”

“Legjitimiteti [i kryetarëve] është i vakët, mirëpo legaliteti është i plotë. Dhe ata që na kritikojnë për legjitimitet nuk kanë legjitimitet sepse i kanë braktisur institucionet”, tha Kurti.

Ai tha se tani është në pyetje “çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste” dhe se ky komunitet ka nevojë për pluralizëm politik.

Kurti, shtoi se Lista Serbe duhet t’i paguajë vetë pasojat për tërheqjen nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës dhe kërkoi që vendimet e tyre të mos ndëshkohet Kosova.

“Nuk jemi kundër serbëve. I kemi ftuar të kthehen në institucione, mirëpo gabimin kardinal të Listës Serbe që i bojkotoi zgjedhjet, që i braktisi zgjedhjet nuk duhet ta paguajnë Republika jonë, por Lista Serbe”, tha Kurti.

Po ashtu, ai tha se këto ishin vendime politike të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – dhe për këta arsye, ata duhen të përballen vetë me pasojat.

Kryeministri i Kosovës shtoi se eskalimi i situatës më 29 maj – kur ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar – ishte “e planifikuar mirë” dhe e orkestruar nga Beogradi.

Kurti gjithashtu se protestuesit në veri të Kosovës nuk po kërkojnë zgjedhje të reja komunale, teksa shtoi se “pushteti në Kosovë mund të merret veç me zgjedhje, jo me sulme e granata”./REL

Etiketa: , , , ,
Të fundit